Komentimi i ajetit 60 i sures Teube

“All-llahu caktoi obligim që lëmosha (zekati etj.) t'u takojë vetëm të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s'kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që u duhen përfituar zemrat (të dobëtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve) në rrugën e All-llahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. All-llahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së Vet.” (Teube, 60)

Me këtë ajet zekati merr pozitën e vet në sheriatin islam. Zekati nuk është një dhënie vullnetare, por urdhër dhe obligim për muslimanin. Zekati është njëri ndër obligimet e Islamit, të cilën shteti islam e tubon në mënyrë që të kryejë një shërbim social.
Allahu i ka dalluar disa njerëz me pasuri ndaj disa të tjerëve, si një begati që Allahu u ka dhënë atyre dhe e bëri dhënien e një pjese të kësaj pasurie për ata që nuk kanë si falënderim ndaj kësaj begatie.
Me këtë ajet, Allahu vendos një rregull shumë preciz, se cilët janë ata që e meritojnë marrjen e zekatit. Allahu i Lartësuar na tregon edhe llojet për të cilët mund të derdhet ky fond. Nëse njeriu e jep zekatin në njërin prej këtyre fondeve, i pranohet. Në të kundërtën, jo.
Lloji i parë në këtë ajet janë të varfrit (nevojtarët) (fukara), ndërsa lloji i dytë janë të ngratët (që s'kanë fare).
Dijetarët e gjuhës arabe dhe të fikhut nuk janë në ujdi për dallimin mes të varfrit (fekir) dhe të ngratit (miskin). Disa thonë se nuk ka dallim mes tyre, disa të tjerë bëjnë dallim mes tyre. Mospajtimet rreth këtyre dy llojeve kanë arritur deri në 9 mendime, por ne do të cekim vetëm disa prej tyre.
Jakub b. Sukejji, Kutebi dhe Junus b. Habibi anojnë nga mendimi se i varfri (fekiri) është në një gjendje më të mirë sesa i ngrati (miskini) dhe kanë thënë: “I varfër (fakir) është ai që ka diçka që i mjafton dhe ka mundësi të jetojë me të, ndërsa i ngrati (miskini) është ai që nuk ka asgjë para vetes. Të këtij mendimi janë edhe Ebu Hanifja dhe Kadi Abdul Vehabi.
Ndërsa disa të tjerë kanë thënë të kundërtën, se i ngrati (miskini) është në gjendje më të mirë sesa i varfri (fekiri). Këta kanë argumentuar me fjalën e Allahut: “Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e të varfërve, që veprojnë në det, e unë desha të bëjë atë me të meta, ngase para tyre ishte një sundues që grabiste çdo anije (të aftë - pa të meta).” (Kehf, 79). Pra, në këtë ajet Allahu ka përdorur fjalën miskin.
Ndërsa shafitë mendojnë se nuk ka dallim mes këtyre dy llojeve në kuptim, edhe pse në emërtim dallojnë.
Ajo çka vërehet prej kësaj që thamë është se ka dallim mes miskinit dhe fekirit dhe se këto janë dy lloje, vetëm se njëri prej tyre është më në nevojë se tjetri.
Lloji i tretë i atyre që e meritojnë zekatin janë punonjësit (që e tubojnë), d.m.th. ata të cilët i dërgon imami (udhëheqësi) për tubimin e zekatit dhe i autorizon për tubimin e tij. Buhariu shënon nga Ebu Humejd Essaidij, i cili ka thënë: “E autorizoi i Dërguari i Allahut një njeri prej Esdit
për marrjen e zekatit nga Benu Sulejm, i cili quhej Ibnu Lutejbe. Dhe kur u kthye ai, i Dërguari i Allahut e llogariti atë.”
Dijetarët nuk janë të një mendimi se sa duhet të marrë prej zekatit ai që është i autorizuar ta tubojë atë. Rreth kësaj çështjeje kemi tre mendime.
Muxhahidi dhe Shafiu kanë thënë se i jepet një e teta. Ibnu Umeri dhe Maliku thonë se i jepet një rrogë për punën e tij. I këtij mendimi është edhe Ebu Hanifja dhe pasuesit e tij. Mendimi i tretë është që t’i jepet prej arkës shtetërore.
Lloji i katërt janë ata që u duhen përfituar zemrat (të dobëtit në besim). Këta janë një popull të cilët ishin në fillim të Islamit të tyre dhe ua përfitonin zemrat me dhënien e një pjese të zekatit, për shkak të bindjes së dobët që kishin. Zuhriu ka thënë: “Që të përfitohen zemrat e tyre” janë ata të cilët e kanë pranuar Islamin prej çifutëve dhe të krishterëve, edhe nëse janë të pasur”. Ndërsa disa dijetarë të vonshëm kanë rënë në mospajtim se kush janë ata të cilët duhet t’ua përfitojmë zemrat. Ata kanë thënë se ata janë një lloj jobesimtarësh që u jepet zekat që t’u përfitohen zemrat. Këta nuk e kanë pranuar Islamin me shpatë, por e kanë pranuar Islamin duke ua përfituar zemrat me dhënie dhe me bamirësi. Është thënë gjithashtu se ata janë një popull të cilët e kanë pranuar Islamin në anën e jashtme, por ende zemrat e tyre nuk janë bindur plotësisht. U jepet atyre zekati, që të forcohet Islami në zemrat e tyre. Është thënë gjithashtu se atyre që u është dhënë zekati për t’ua përfituar zemrat kanë qenë disa nga paria e jobesimtarëve, të cilët kishin pasues. U jepej atyre zekati që pasuesit e tyre të bëheshin për vete.
Gjithë këto thënie janë të afërta njëra me tjetrën. Qëllimi i tyre është që t’u jepet zekati atyre të cilëve u forcohet feja vetëm me dhënie. Edhe ky është një lloj xhihadi, sepse jobesimtarët janë tre llojesh: Një lloj largohet nga mosbesimi me paraqitjen e argumenteve, një lloj largohen nga mosbesimi duke qenë nën sundimin e muslimanëve dhe një lloj tjetër futet në Islam falë dhënies dhe bamirësisë ndaj tyre. Ndërsa imami (udhëheqësi) është ai i cili shikon se cila metodë është më e përshtatshme për t’i larguar ata nga mosbesimi.
Në Sahihul Muslim, i Dërguari i Allahut alejhi selam thotë: “Unë ju jap disave të cilët janë të hershëm në Islam, që t’i përfitoj ata.”
“E duhet dhënë edhe për lirim nga robëria”, d.m.th. për lirimin e robërve dhe ky është lloji i pestë. Ibnu Abasi dhe Ibnu Umeri, si edhe medhhebi i Imam Malikut dhe të tjerëve, kanë thënë se lejohet që imami (udhëheqësi) të blejë robër prej pasurisë së zekatit dhe pastaj t’i lirojë ata. Po ashtu, nëse pronari i zekatit blen rob dhe i liron, lejohet një gjë e tillë.
Lloji i gjashtë janë të mbyturit në borxhe, d.m.th. janë ata të cilët janë të mbytur në borxhe dhe nuk kanë mundësi t’i paguajnë. Mirëpo nëse borxhin e ka në haram dhe në mëkate, nuk lejohet t’i jepet zekati, përveçse nëse pendohet
Lloji i shtatë janë ata në rrugën e All-llahut, d.m.th. janë ata të cilët luftojnë në rrugën e Allahut. Atyre u jepet zekati për atë që shpenzojnë në rrugën e Allahut, pa marrë parasysh a janë të pasur apo të varfër. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.
Në llojin e tetë hyn ai që ka mbetur në rrugë. Fjala është për atë që është në udhëtim dhe i janë ndërprerë çdo lidhje me vendin dhe pasurinë e vet, e kështu me radhë. Atij i jepet zekati, edhe nëse është i pasur në vendin e vet dhe nuk duhet t’i kërkojmë atij t’i kthejë këto të holla, apo këtë pasuri, apo të mundohemi të gjejmë dikë i cili ia jep hua këtë pasuri.
Ky pra është një obligim shoqëror, i cili e rregullon gjendjen sociale të muslimanëve. Me këtë, Allahu dëshiron t’i pastrojë zemrat e besimtarëve nga koprracia dhe t’i lidhë ato zemra mes personave të këtij umeti. Ky është një obligim prej Allahut, Atij i Cili e di se ç’është në të mirën e robërve të Tij dhe i rregullon çështjet e robërve të Tij me një urtësi absolute. “All-llahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së Vet.”
 

Përgatiti: Shaban Murati
13.7.2007