Komentimi i ajeteve 6-15 të sures Teube

“E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që t'i dëgjojë fjalët e Allahut (Kuranin), e mandej përcille në vendin e tij të sigurt. Këtë, ngase ata janë popull që nuk e dinë (të vërtetën e fesë islame).

 Si mund të kenë idhujtarët besë (marrëveshje) te Allahu dhe te i dërguari i Tij, përveç atyre me të cilët keni lidhur marrëveshje pranë Xhamisë së Shenjtë (Qabes), e derisa ata i përmbahen (marrëveshjes), përmbahuni edhe ju. Allahu i do ata që ruajnë besën.

Si (mund të kenë besë) ata të cilët nëse ju mundin, nuk përfillin ndaj jush as farefisni dhe as marrëveshje. Ata ju bëjnë lajka me fjalët e tyre kundërshtojnë, ngase shumica e tyre janë besëthyes.

 Ata i shkëmbyen ajetet e Allahut për një vlerë të paktë dhe penguan nga rruga e Tij. Ata vepruan keq.  

Ata nuk respektojnë te asnjë besimtar as farefisninë, as marrëveshjen; si të tillë janë përdhunues.

Po, nëse ata pendohen, e falin namazin dhe e japin zeqatin, atëherë i keni vëllezër në fe. Ne sqarojmë argumentet për ata njerëz që kuptojnë.

E nëse ata thyejnë zotimet e tyre pas marrëveshjes, ofendojnë fenë tuaj, atëherë luftoni krerët e mohuesve. Ata vërtet nuk kanë besë, luftoni që të frenohen (nga krimi e fyerja).

Përse të mos e luftoni një popull që thyen zotimet e veta dhe tentuan të dëbojnë të dërguarin? Në të vërtetë ata ua filluan të parët luftën. A u frikësoheni atyre? Më e drejtë është t'i frikësoheni Allahut, nëse jeni besimtarë.

Luftoni ata, Allahu i dënon dhe i mposht ata nëpërmjet jush, e juve ju ndihmon kundër tyre dhe shëron zemrat e njerëzve besimtarë.

Dhe Ai mënjanon brengat nga zemrat e tyre. Allahu ia pranon pendimin atij që do. Allahu i di të fshehtat, me urtësi zgjidh çështjet.” Teube 6-15.

“E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që t'i dëgjojë fjalët e Allahut (Kuranin), e mandej përcille në vendin e tij të sigurt. Këtë, ngase ata janë popull që nuk e dinë (të vërtetën e fesë islame).”

Kjo fe është njoftim për ata që nuk e din dhe strehim për ata që duan të strehohen nën të.

Islami lufton që ta mposhtë forcën e materializmit dhe çdo forcë mizore, e cila pengon njerëzit që ta dëgjojnë fjalën e Allahut. E lufton atë materializëm i cili mundohet të pengojë njerëzit nga njohja e asaj që ju ka zbritur Allahu. Islami është ai ligj, i cili i nxjerr njerëzit nga adhurimi i njëri-tjetrit në adhurimin e Allahut, nga errësira në dritë.

Nëse kjo forcë e materializmit mposhtet dhe armiqtë e Allahut mposhten, ndërsa sundimi mbi tokë i mbetet ligjit të Allahut. Në këtë rast njerëzit janë të sigurt në fenë e Allahut, janë nën mbrojtjen e tij. I mëson ata dhe nuk i frikëson; i strehon ata dhe nuk i mashtron; i ruan dhe i mbron deri sa të arrijnë në vendin e tyre. Edhe pse ata e refuzojnë programin hyjnor, Islami prapë i ruan ata, deri sa të arrijnë në vendin e tyre.

Ndërsa sot mbi tokë ekzistojnë ligje dhe programe, të cilat i kanë formuar njerëzit. Ato ligje janë të mbushura përplot me mizori, mashtrim, tradhti dhe nacionalizëm. Në këto ligje nuk është i sigurt ai i cili e kundërshton atë. Nuk është i sigurt as në pasurinë e tij, as në nderin e tij. Të gjitha shenjtërit njerëzore i ka të rrezikuara. Me gjithë këtë mizori që përmbajnë këto ligje të njerëzve dhe me gjithë tolerancën islame, prapë krerët e jobesimtarëve ngrihen dhe akuzojnë Islamin dhe dëshirojnë të fusin dyshime tek njerëzit rreth këtij ligji të Allahut, se gjoja ai është ligj i shpatës dhe ligj i cili i detyron njerëzit me forcë të përqafojnë atë.

“Si mund të kenë idhujtarët besë (marrëveshje) te Allahu dhe te i dërguari i Tij, përveç atyre me të cilët keni lidhur marrëveshje pranë Xhamisë së Shenjtë (Qabes), e derisa ata i përmbahen (marrëveshjes), përmbahuni edhe ju. Allahu i do ata që ruajnë besën.”

Allahu këtë ajet e sjell në formë çudie. Si ka mundësi që të ketë marrëveshje me jobesimtarët, kur ata  nuk njohin pejgamberllëkun e Muhamedit (aljehi selam) dhe nuk e adhurojnë Allahun e madhëruar?! Si të ketë marrëveshje me jobesimtarët, kur ata janë ata të cilët e mashtrojnë dhe e thyejnë marrëveshjen gjithherë?! Pastaj, Allahu i përjashton në këtë ajet disa prej tyre, siç thotë në fjalën e Tij:

“Përveç atyre me të cilët keni lidhur marrëveshje pranë Xhamisë së Shenjtë (Qabes), e derisa ata i përmbahen (marrëveshjes), përmbahuni edhe ju. Allahu i do ata që ruajnë besën.”

Ibën Abasi thotë: “Ata kanë qenë kurejshët”. Ndërsa Katade thotë: “Këta janë banorët e Mekës me të cilët kanë bërë marrëveshje me Pejgamberin në marrëveshjen e Hudejbijës”.

Pastaj thotë: “...Derisa ata i përmbahen (marrëveshjes), përmbahuni edhe ju. Allahu i do ata që ruajnë besën”.

Por ata nuk e mbajtën premtimin e tyre. Për këtë, i Dërguari i Allahut pas çlirimit të Mekës i la të lirë katër muaj. Ose të bëhen muslimanë, ose të largohen dhe të shkojnë nga të dëshirojnë, por ata e pranuan Islamin pa i plotësuar katër muaj.

“Si (mund të kenë besë) ata të cilët nëse ju mundin, nuk përfillin ndaj jush as farefisni dhe as marrëveshje. Ata ju bëjnë lajka me fjalët e tyre kundërshtojnë, ngase shumica e tyre janë besëthyes. Ata i shkëmbyen ajetet e Allahut për një vlerë të paktë dhe penguan nga rruga e Tij. Ata vepruan keq. Ata nuk respektojnë te asnjë besimtarë as farefisninë, as marrëveshjen; si të tillë janë përdhunues.”

Si ka mundësi të ketë marrëveshje me jobesimtarët, kur ata nuk lidhin marrëveshje përveçse kur janë të paaftë dhe të dobët?!

Sikur ata të jenë të fortë dhe t’ju mundin juve do të kishin bërë gjëra të çuditshme tek juve dhe nuk do ta kishin pas parasysh marrëveshjen që e keni mes jush dhe atyre.

Jobesimtarët kur janë më të fortë se besimtarët nuk shikojnë asnjë marrëveshje e as një ligj. Nuk ekziston tek ta as farefisni. Ata për shkak të urrejtjes së madhe që kanë ndaj besimtarëve tejkalojnë çdo kufi njerëzor. Asnjëherë nuk duhet të mendojë besimtari se ata kanë mëshirë mbi ne. Por, marrëveshjet e tyre vijnë në shprehje vetëm kur ata janë të dobët dhe nuk kanë mundësi t’i mundin besimtarët.

Ata bëjnë se gjoja janë të kënaqur me myslimanët, për shkak të dobësimit të tyre. Ata janë njerëz që  kanë tejkaluar kufijtë e Allahut. Argumentet e Allahut i kanë blerë me një çmim të lirë të kësaj bote. Ata frikësohen se Islami po ju humb diçka prej interesit të tyre të kësaj bote. Penguan në rrugën e Allahut, e penguan veten e tyre dhe i penguan të tjerët. Sa veprim i keq është ky.

Cilësia e armiqësisë së tyre është për shkak të urrejtjes që kanë ndaj besimtarëve. Kjo është gjendja e jobesimtarëve çdoherë me muslimanët.

Pastaj Allahu ju drejtohet muslimanëve se si të veprojnë në këtë gjendje me jobesimtarët. “Po, nëse ata pendohen, e falin namazin dhe e japin zeqatin, atëherë i keni vëllezër në fe. Ne sqarojmë argumentet për ata njerëz që kuptojnë.”

Islami është tolerant po ashtu edhe muslimanët. Nëse njeriu pendohet nga ajo që ka vepruar dhe ju bashkëngjitet rradhëve të muslimanve, ai nuk është asgjë tjetër përveç një vëlla i ri në shoqërinë muslimane. Islami shlyen atë që bën njeriu kur është jashtë Islamit.

Pastaj Allahu thotë:

“E nëse ata thyejnë zotimet e tyre pas marrëveshjes, ofendojnë fenë tuaj, atëherë luftoni krerët e mohuesve. Ata vërtet nuk kanë besë, luftoni që të frenohen (nga krimi e fyerja). Përse të mos e luftoni një popull që thyen zotimet e veta dhe tentuan të dëbojnë të dërguarin? Në të vërtetë ata ua filluan të parët luftën. A u frikësoheni atyre? Më e drejtë është t'i frikësoheni Allahut, nëse jeni besimtarë. Luftoni ata, Allahu i dënon dhe i mposhtë ata nëpërmjet jush, e juve ju ndihmon kundër tyre dhe shëron zemrat e njerëzve besimtarë. Dhe Ai mënjanon brengat nga zemrat e tyre. Allahu ia pranon pendimin atij që do. Allahu i di të fshehtat, me urtësi zgjidh çështjet.”

Armiqësia dhe urrejtja e jobesimtarëve ndaj muslimanëve nuk ishte vetëm ndaj Muhamedit, shokëve dhe ndaj të gjithë umetit të tij. Lufta mes së vërtetës dhe së kotës ka ekzistuar edhe me herët. Shembulli i Nuhut dhe veprimi i jobesimtarëve ndaj Nuhut. Pastaj shembulli i Hudit, Salihut, Ibrahimit, Musait, Isait dhe besimtarëve të tyre janë argumente më të mira për urrejtjen e jobesimtarëve ndaj muslimanëve dhe luftën mes të vërtetës dhe të pavërtetës.

Pastaj çka vepruan jobesimtarët me Muhamedin dhe shokët e tij. I dëbuan nga shtëpitë e tyre. I luftuan pasi që i dëbuan nga shtëpitë e tyre. Nuk kishin parasysh as marrëveshjet e as farefisin.

Çka vepruan mushrikët ndaj muslimanëve në betejën me Tatarët. Çka vepruan ateistët pastaj me muslimanët pas 14 shekuj në çdo vend. Natyrshëmria e tyre gjithmonë ka qenë e njëjtë. Ata asnjëherë nuk kanë pasur parasysh as marrëveshjet, as farefisninë me muslimanët.

Ibn Kethiri tregon në librin  tij “Bidaje ue Nihaje”: “Kur tatarët e pushtuan Bagdadin dhe e përmbysën udhëheqësinë e muslimanve, vranë të gjithë ata që kishin mundësi prej grave, burrave, fëmijëve, pleqve të rinjtë, sa që shumë nga besimtarët u detyruan të mbyllen nëpër shtëpitë e tyre apo nëpër dyqanet e tyre. Por, edhe aty nuk shpëtuan nga duart e tatarëve. Ose i nxorën nga shtëpitë e tyre dhe i mbytën, ose i dogjën dyqanet së bashku me ta. Thuhet se në këtë betejë tatarët i kanë vrarë 800.000 muslimanë. Thuhet se kanë vrarë edhe më shumë rreth një milion muslimanë. Dyzet ditë rresht kanë prerë dhe kanë masakruar muslimanë pa u ndalur. I vranë edhe dijetarët, edhe halifen. E shkatërruan komplet qytetin e Bgadadit.”

Pastaj muslimanët në Indi i goditi e njëjta  gjendje. Po ashtu muslimanët në Ballkan, në Bosnje në Kosovë. Kjo është natyrshmëria e jobesimtarëve, kjo është urrejtje e jobesimtarëve ndaj muslimanëve në çdo kohë dhe në çdo vend.

Përgatiti: Shaban Murati

09.03.2007