Komentimi i ajeteve 53-59 të sures Teube

“Thuaj: "Shpenzuat ju me dëshirë a me dhunë, nuk u pranohet kurrsesi, vërtet ju ishit popull i padëgjueshëm.
Mospranimin e dhënieve të tyre nuk e pengoi tjetër gjë vetëm pse ata mohuan All-llahun dhe të Dërguarin e Tij dhe namazin e falin vetëm me përtaci, e lëmoshën nuk e japin ndryshe pos duke urryer.
Prandaj, mos të mahnitë
(mos e shih të mirë) pasuria e tyre e as fëmijët e tyre, All-llahu do vetëm t'i dënojë me to në jetën e kësaj bote e t'ju nxjerrë shpirtrat duke qenë ashtu qafirë. Ata betohen në All-llahun se vërtet janë si ju, por ata nuk janë me ju, ata janë popull që frikohet.
Sikur të gjenin ndonjë vendstrehim, ndonjë shpellë a ndonjë vrimë, ata do të shkonin aty me vrapim.
Ka prej tyre që do të bëjnë vërejtjen në ndarjen e lëmoshës, nëse u jepet nga ajo, ata mbesin të kënaqur, e nëse nuk u jepet, ata hidhërohen.
E sikur të kënaqeshin me atë që ua dha All-llahu dhe i Dërguari i Tij, e të thoshin: "Ne na mjafton All-llahu, All-llahu do të na furnizojë nga të mirat e Tij, e edhe i Dërguari i Tij, dhe se vetëm te All-llahu e mbështesim dëshirën
(do të ishte shumë më mirë për ta)." (Teube, 53-59)
Allahu në këto ajete vazhdon duke përmendur cilësitë dhe gjendjet e munafikëve, të cilët bënin trazira në radhët e shoqërisë së muslimanëve. Allahu në këto ajete tregon për pasurinë që munafikët e jepnin jo me dëshirën e tyre. Allahu thotë: “Thuaj: "Shpenzuat ju me dëshirë a me dhunë, nuk u pranohet kurrsesi, vërtet ju ishit popull i padëgjueshëm.”
Rreth këtij ajeti ka disa çështje që duhen përmendur. Çështja e parë: Abdullah b. Abasi ka thënë: “Ky ajet ka zbritur për Xhed b. Kajsin, kur tha: “Më jep leje për të mos marrë pjesë në luftë, kurse kjo është pasuria që do të të jap që të ndihmosh veten me të.” Nga ajeti kuptohet se nëse ai shpenzon me vullnet apo i detyruar, ai shpenzim nuk do të pranohet.”
Pastaj Allahu tregon shkakun pse nuk pranohet pasuria e tyre, duke thënë: “Mospranimin e dhënieve të tyre nuk e pengoi tjetër gjë vetëm pse ata mohuan All-llahun dhe të Dërguarin e Tij dhe namazin e falin vetëm me përtaci, e lëmoshën nuk e japin ndryshe pos duke urryer.”
Çështja e dytë: Për punët e mira, si: lidhja farefisnore, ndihma dhe të tjera, jobesimtari nuk do të ketë shpërblim në botën tjetër. Ai prej këtyre të mirave ushqehet në këtë botë. Argument për këtë është fjala e të Dërguarit të Allahut, të cilën e transmeton Aishja, e cila thotë: “O i Dërguari i Allahut, Ibnu Xhudani ishte në injorancë njeri i cili vizitonte farefisin, i ushqente të varfrit. A do t’i bëjë kjo dobi?” I Dërguari i Allahut i tha: “Nuk do t’i bëjë dobi. Ai asnjëherë nuk ka thënë: “O Zot, më fal mua gabimin Ditën e Gjykimit.”
Gjithashtu, transmetohet nga Enesi, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu nuk i bën zullum besimtarit për një të mirë për të cilën e shpërblen edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër. Ndërsa jobesimtarin e ushqen Allahu në këtë botë me të mirën që ka bërë, derisa kur të shkojë në ahiret nuk i mbetet asnjë e mirë me të cilën të shpërblehet.” (Transmeton Muslimi)
Allahu thotë: “Mospranimin e dhënieve të tyre nuk e pengoi tjetër gjë vetëm pse ata mohuan All-llahun dhe të Dërguarin e Tij dhe namazin e falin vetëm me përtaci, e lëmoshën nuk e japin ndryshe pos duke urryer.”
Allahu në këtë ajet tregon për shkakun se pse nuk ua ka pranuar lëmoshën munafikëve. Ndërsa Abdullah b. Mes’udi për fjalën e Allahut: “...dhe namazin e falin vetëm me përtaci”, ka thënë: “Nëse janë në xhemat, falen e nëse janë të vetmuar, nuk falen.”
Munafiku nuk shpreson në namazin e tij shpërblim dhe nuk i frikësohet dënimit për lënien e tij. Dyfytyrësia trashëgon përtaci në ibadet. Ndërsa fjala e Allahut: “...e lëmoshën nuk e japin ndryshe pos duke urryer” është për shkak se pasurinë që japin ata e llogarisin si humbje, ndërsa atë që ndalin e llogaritin si përfitim.
Pastaj Allahu thotë: “Prandaj, mos të mahnitë (mos e shih të mirë) pasuria e tyre e as fëmijët e tyre, All-llahu do vetëm t'i dënojë me to në jetën e kësaj bote e t'ju nxjerrë shpirtrat duke qenë ashtu qafirë. Ata betohen në All-llahun se vërtet janë si ju, por ata nuk janë me ju, ata janë popull që frikohet.”
Allahu i drejtohet të Dërguarit të Tij duke i thënë: “Mos mendo atë të cilën ua kemi dhënë munafikëve prej fëmijëve dhe prej pasurisë është në të mirën e tyre, por kjo është një ngadalësim në dënimin e tyre.” Ka thënë Hasen el-Basriu: “Kuptimi i këtij ajeti është se Allahu do t’i dënojë ata me nxjerrjen e zekatit dhe me shpenzimin në rrugën e Allahut”, kjo për arsye se ata nuk e japin këtë me vetëdëshirë, por janë të detyruar që ta japin. Gjithashtu, ky kuptim i Hasen el-Basriut rreth ajetit është edhe zgjedhja e Imam Taberiut.
Ky ajet është një argument i prerë se ata do të vdesin jobesimtarë, me caktimin e Allahut. Po ashtu, ky ajet tregon edhe për një moral të keq të munafikëve, që është betimi i tyre se ata janë besimtarë, siç ka thënë Allahu edhe në suren Munafikun: “Kur të erdhën ty hipokritët, të thanë: "Ne dëshmojmë se vërtet ti je i dërguar i All-llahut!" E, All-llahu e di se ti je i Dërguar i Tij, por All-llahu dëshmon se hipokritët janë rrenacakë (kur thonë ashtu).” (Munafikun, 1)
Allahu thotë: “Sikur të gjenin ndonjë vendstrehim, ndonjë shpellë a ndonjë vrimë, ata do të shkonin aty me vrapim.”
Munafikët gjithmonë mundohen të gjejnë ndonjë vend strehim ku do të fshiheshin dhe ku do të siguroheshin. Mundohen të gjejnë ndonjë vendstrehim, shpellë, apo ndonjë vrimë. Ata e bëjnë këtë nga frika e brendshme që i ka goditur dhe për këtë ata betohen rrejshëm se gjoja janë me muslimanët, por Allahu i zbulon betimet e tyre të rrejshme.
Pastaj Allahu thotë në ajetin vijues: “Ka prej tyre që do të bëjnë vërejtjen në ndarjen e lëmoshës, nëse u jepet nga ajo, ata mbesin të kënaqur, e nëse nuk u jepet, ata hidhërohen.
E sikur të kënaqeshin me atë që ua dha All-llahu dhe i Dërguari i Tij, e të thoshin: "Ne na mjafton All-llahu, All-llahu do të na furnizojë nga të mirat e Tij, e edhe i Dërguari i Tij, dhe se vetëm tek All-llahu e mbështesim dëshirën
(do të ishte shumë më mirë për ta).”
Munafikët janë ata të cilët prekën edhe nderin e të Dërguarit të Allahut, drejtësinë e tij e llogaritën si padrejtësi, ndarjen e tij e llogaritën si ndarje jo të drejtë.
Muslimi shënon nga Ebi Seid el-Huderij, i cili thotë: “Ishte i Dërguari i Allahut duke ndarë pasurinë kur erdhi Hurkus b. Zuhejri (i pari i havarixhëve), i thuhet gjithashtu edhe Huvejsira Ettemimij, i cili tha: “Ndaj drejt, o i Dërguari i Allahut!” I Dërguari i Allahut i tha: “Mjerë për ty! E kush ka mundësi të ndajë drejt, nëse unë nuk ndaj drejt?” Atëherë zbriti ky ajet. Në at moment Omer b. Hatabi tha: “Më lejo, o i Dërguari i Allahut, që t’ia heq kokën këtij munafiku.” Atëherë i Dërguari i Allahut tha: “Zoti na ruajttë, që të thonë njerëzit se un po vras shokët e mi. Ky dhe shokët e tij e lexojnë Kuranin, por ai nuk i kalon fytet e tyre, dalin prej tij siç del shigjeta prej asaj me të cilën gjuan.”
Sidoqoftë, teksti kuranor argumenton një shprehje të munafikëve, të cilët nuk e thonë këtë për shkak të xhelozisë që kanë për fenë e Allahut, por për veten e tyre dhe nga hidhërimi pse nuk kanë pasur fat në këtë pasuri. Ky ajet e tregon qartë dyfytyrësinë e munafikëve.
Asnjë besimtar i denjë nuk dyshon te morali i të Dërguarit të Allahut. Ai njihej për besnikërinë e tij edhe para se të dërgohej si Pejgamber. Drejtësia është një degë apo një pjesë e besnikërisë së tij.
Më pas, Allahu fillon të përshkruajë gjendjen e besimtarëve dhe sikur edhe munafikët të ishin në këtë gjendje, do të ishte më mirë për ta. Allahu thotë: “E sikur të kënaqeshin me atë që ua dha All-llahu dhe i Dërguari i Tij, e të thoshin: "Ne na mjafton All-llahu, All-llahu do të na furnizojë nga të mirat e Tij, e edhe i Dërguari i Tij, dhe se vetëm te All-llahu e mbështesim dëshirën (do të ishte shumë më mirë për ta).”
Kjo është edukata shpirtërore, edukata e besimit, kënaqësia me ndarjen e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, të mjaftuarit e Allahut, shpresa në begatitë e Allahut pa asnjë përfitim material. Kjo është edukata e imanit të vërtetë, e cila ushqen zemrën e besimtarit.

Përgatiti: Shaban Murati
6.7.2007