Komentimi i ajeteve 46-48 të sures Teube

“E sikur të kishin dëshiruar ata të dalin, do të bënin për të (për luftë) ndonjë përgatitje, por All-llahu nuk e pëlqeu ngritjen e tyre, andaj i zmbrapsi, dhe u është thënë: "Rrini me të paaftit (fëmijët, gratë e pleqtë)."
Edhe sikur të dilnin me ju, ata nuk do t'ju shtonin tjetër pos ngatërresës dhe shumë shpejt do të përçanin mesin tuaj, duke kërkuar t'ju turbullojnë. E ndër ju ka të tillë që i dëgjojnë ata. All-llahu i di shumë mirë hipokritët.
Ata edhe më parë tentuan përçarjen tuaj, t'i ngatërruan ty çështjet derisa të erdhi e vërteta dhe ngadhënjeu vendimi i All-llahut, përkundër asaj që ata e urrenin.”
(Teube, 46-48)
Këto ajete janë vazhdimësi e ajeteve para tyre, ajete të cilat përshkruajnë në formën më të saktë betejën e Tebukut dhe tregojnë për gjendjen e munafikëve, të cilët gjithmonë mundohen të bëjnë përçarje në mesin e muslimanëve. Këto ajete tregojnë se prania e tyre në rreshtat e muslimanëve gjatë luftës sjell vetëm dëme dhe humbje.
Allahu, pasi në ajetet para këtyre e qorton të Dërguarin e Allahut për lejen që u ka dhënë munafikëve për të mos marrë pjesë në betejë, tregon se si ata, edhe nëse marrin pjesë, do t’u sjellin muslimanëve vetëm të këqija. Allahu thotë: “E sikur të kishin dëshiruar ata të dalin, do të bënin për të (për luftë) ndonjë përgatitje, por All-llahu nuk e pëlqeu ngritjen e tyre, andaj i zmbrapsi, dhe u është thënë: "Rrini me të paaftit (fëmijët, gratë e pleqtë)."
Ata nuk kishin ndërmend të merrnin pjesë në këtë betejë, pasi, po të donin të merrnin pjesë, do të bënin ndonjë përgatitje. Nuk është çudi. Natyrshmëria e munafikëve gjithmonë është e tillë. Qëllimet e tyre gjithmonë janë të mbështjella me xhelozi ndaj muslimanëve dhe me mendim të keq për ta. Ata pranuan të qëndronin me të moshuarit, të cilët me arsye nuk mund të dalin në luftë. Ata pranuan të rrinin me gratë dhe fëmijët, me ata të cilët nuk kanë mundësi të luftojnë. Këto janë ambiciet e këtij lloji njerëzish. Këta janë ata të cilët kanë në zemrat e tyre dyshime, kurse në shpirtrat e tyre nuk ka asnjë pikë bindjeje. Mirëpo mosprania e tyre në luftë ishte në të mirën e muslimanëve, në të mirën e thirrjes dhe të luftës në rrugën e Allahut. Thotë Allahu: “Edhe sikur të dilnin me ju, ata nuk do t'ju shtonin tjetër pos ngatërresës dhe shumë shpejt do të përçanin mesin tuaj, duke kërkuar t'ju turbullojnë. E ndër ju ka të tillë që i dëgjojnë ata. All-llahu i di shumë mirë hipokritët.”
Zemrat e dyshimta përhapin dobësi dhe ngecje në rreshtat e muslimanëve, ndërsa tradhtarët janë shumë të rrezikshëm për një ushtri të mbushur me besnikëri dhe sinqeritet. Sikur të dilnin këta munafikë në luftë, nuk do t’u shtonin muslimanëve aspak fuqi dhe forcë, por lëkundje dhe rrëmujë si dhe do të futnin në mesin e tyre fitne, përçarje dhe ndarje.
Në mesin e muslimanëve ka pasur prej atyre që i pëlqenin fjalët e munafikëve, por Allahu është Ai i Cili e ruan thirrjen islame duke vendosur në të burra të sinqertë.
Këta munafikë ishin ata të cilët edhe më herët dëshironin të fusnin përçarje në mesin e muslimanëve, atëherë kur i Dërguari i Allahut emigroi në Medinë. Mirëpo, Allahu e ndihmoi të Dërguarin e Tij me të vërtetën dhe me fitore ndaj tyre, kështu që, pasi muslimanët forcuan shtetin e tyre, munafikët u detyruan t’u nënshtrohen muslimanëve, por ata nuk i pushuan intrigat e tyre ndaj muslimanëve, tani në forma të fshehta. Në lidhje me këtë Allahu thotë: “Ata edhe më parë tentuan përçarjen tuaj, t'i ngatërruan ty çështjet derisa të erdhi e vërteta dhe ngadhënjeu vendimi i All-llahut, përkundër asaj që ata e urrenin.” (Teube, 46-48).
 

Përgatiti: Shaban Murati
15.6.2007