Komentimi i ajeteve 4-5 i sures Huxhurat
“Ata që thërrasin përtej mureve, shumica e tyre janë që nuk kuptojnë. E sikur ata të bënin durim derisa të kishe dalë ti vetë, do të ishte më edukative për ta, po Allahu është mëkatfalës, mëshirues.” Huxhurat, 4-5.
Në këtë ajet shihet edukata e tretë në këtë sure.
Edukata e parë ishte ndalesa që mos t’i japim fjalës tonë përparësi ndaj fjalës së Allahut dhe të Pejgamberit.
Edukata e dytë ka të bëjë rreth ndalesës së ngritjes së zërit ndaj zërit të Pejgamberit, si dhe lavdërimi ndaj atyre që ulin zërin para Pejgamberit.
Ndërsa edukata e tretë që është në këtë ajet ka të bëj me thirrjen e Pejgamberit se si ta thërrasim të Dërguarin e Allahut.
Shkaku i zbritjes së këtij ajeti
Ky ajet ka zbritur kur një grup nga fisi temim erdhën tek Pejgamberi dhe Pejgamberi në atë moment ishte në njërën prej dhomave të grave të tij, duke pushuar. Filluan ta thërrasin Pejgamberin duke i thënë: “O Muhamed, dil tek ne sepse lavdërimi ynë është i bukur, ndërsa nënçmimi ynë është i keq.”
Kurtubi ka thënë se ky grup ishin afërsisht 70 persona, ndërsa Pejgamberi ishte duke pushuar në mesditë në njërën prej dhomave të tij.
Këta ishin disa arabë të shkretëtirës të cilët thërrisnin Pejgamberin me emrin e tij “O Muhamed!” por Allahu zbriti këtë ajet si edukim për ta dhe ata që vijnë pas tyre.
Në këtë ajet Allahu na jep një vërejtje të madhe se si muslimani duhet të jetë korrekt ndaj gjërave dhe nëse gjykon për një grup apo për një shoqëri, mos t’i përgjithësojë ata.
Allahu kur tregon për këtë grup që kanë ardhur tek Pejgamberi, na bën me dije që nuk kanë qenë të gjithë të cilët kanë thirrur: “O Muhamed”, por kanë qenë disa prej tyre dhe për këtë Allahu tha: “Shumica e tyre janë që nuk kuptojnë.” Për këtë arsye, kur disa njerëz thonë se kjo shoqëri e tëra është e prishur e kanë gabim, sepse patjetër duhet që të jemi korrekt dhe të dallojmë ata që janë të mirë nga të këqijtë, sepse edhe Allahu nuk gjykoi për tërë grupin, por tha: “Shumica e tyre janë që nuk kuptojnë.”
Dobitë e ajetit
1. Nënçmimi i atyre të cilët nuk kanë edukatë, kjo është marrë nga fjala e Allahut: “nuk kuptojnë”.
2. Kujdesi i njeriut në të folur për të tjerët, sepse Allahu tha: “Shumica e tyre janë që nuk kuptojnë.” e nuk tha të gjithë nuk kuptojnë.
3. Të kemi parasysh veçoritë e njeriut.
4. Nuk ka pengesë ai që udhëheq muslimanët që të ndajë një kohë të veçantë për nevojat personale të veta.
Pastaj Allahu thotë :
“E sikur ata të bënin durim derisa të kishe dalë ti vetë, do të ishte më edukative për ta, po Allahu është mëkatfalës, mëshirues.”
Allahu thotë sikur këta njerëz të prisnin derisa të dilte Pejgamberi, do të ishte më mirë për ta. Më mirë për ta në disa aspekte:
-do të ishte më mirë për ta në sjelljen dhe edukatën me Pejgamberin.
-do të ishte më mirë për ta në marrjen e asaj që kanë pasur nevojë, sepse njeriu kur shikon atë i cili kërkon diçka se ka sjellje të mira, kjo ndikon që t’i ndihmohet në kryerjen e nevojave të tij.
Gjithashtu thuhet që ata kanë ardhur te Pejgamberi për lirimin e disa robërve.
Ndoshta dikush mund të thotë se si ka mundësi Pejgamberi të fshihet prej njerëzve kur ai është i dërguar tek ata. Imam Kurtubi thotë: “Pejgamberi nuk është fshehur asnjëherë nga njerëzit, përveç në ato raste kur ka pasur ndonjë punë me rëndësi për veten e tij dhe për këtë shqetësimi i tij në këto raste llogaritej prej edukatës së keqe.
Pastaj në fund Allahu përfundoi këtë ajet me fjalën e Tij: “Po Allahu është mëkatfalës, mëshirues.”
Dobitë e këtij ajeti
1. Nxitja në durim dhe ndalesa për ngutje.
2. Ai i cili bën durim e mbërrin atë që ka nevojë, me lejen e Allahut.
3. Fisnikëria e Allahut për ata që vepruan kështu sepse Allahu i fali ata dhe i mëshiroi.
4. Vërtetimi i dy emrave prej emrave të Allahut e ata janë: i Mëshirshmi dhe Mëkatfalësi dhe ajo që përmbajnë këta dy emra prej cilësive të Allahut.
Përgatiti: Shaban Murati
28.08.2006