Komentimi i ajeteve 36-37 të sures Teube

“Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj ata (katër muaj). Luftoni të gjithë idhujtarët pa dallim, siç ju luftojnë ata juve pa dallim, e dijeni se Allahu është me ata që u ruhen (të këqijave).

E shtyrja (e një muaj në vend të një tjetri) nuk është tjetër vetëm se një rritje e mosbesimit, që me të edhe më shumë humbin ata që mohuan, pse në një vit e bëjnë të lejuar atë (muajin e shenjtë), e në një vit të ndaluar (të shenjtë), e për të përputhur numrin që Allahu i bëri të shenjtë dhe me atë e bëjnë të lejuar atë që Allahu e ndaloi. Atyre u janë hijeshuar veprat e tyre të këqija. Po, Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin mohues.” Teube, 36-37.

Komentim

Në këto dy ajete Allahu tregon se si i ka bërë katër muaj të shenjtë. Ata muaj janë: Dhulkade, Dhulhixhe dhe Muharrem. Këta muaj janë njëri pas tjetrit, por është edhe muaji Rexheb. Këta muaj si duket ishin të shenjtë qysh prej kohës së Ibrahimit dhe Ismailit. Edhe pse arabët e devijuan shumë fenë e Ibrahimit megjithatë ata i madhëronin këta muaj, për shkak se këta muaj lidheshin me sezonin e haxhit. Po ashtu në këta muaj kishte edhe siguri dhe paqe të plotë në ecjen e njerëzve dhe në tregtinë e tyre. Pastaj disa fise arabe filluan t’i kundërshtojnë këta muaj dhe duke i kapluar ata epshi dhe i lejonin disa gjëra në këtë muaj duke e ndërruar me ndonjë muaj tjetër para këtij apo pas tij. Ata prapë i bënin katër muaj të shenjtë, por vet muajin e ndërronin dhe në vend të një muaji të shenjtë e bënin ndonjë muaj tjetër që t’i plotësojnë ditët, në të cilat Allahu ua ka ndaluar luftën. Për këtë erdhi sheriati që të prishë këtë besim të tyre dhe këtë hile në muajt e shenjtë. Allahu përmes këtyre u tregon se Ai është i Cili ndalon dhe lejon dhe ndalesa e Tij nuk guxon të zëvendësohet me diçka tjetër. Këta muaj të cilët Allahu i ka caktuar dhe i ka bërë të shenjtë, nuk i lejohet njeriut që të zgjedhë në ta, sepse nëse e lejon atë që Allahu e ka ndaluar apo e ndalon atë që Allahu e ka ndaluar  ky është kufër dhe njeriun e qet nga feja, nëse është besimtar. Ndërsa nëse nuk është besimtar, atëherë është kufër mbi kufër. Kështu pra shejtani ua zbukuroi veprat atyre e Allahu nuk e udhëzon një popull jobesimtar.

Po ashtu, ky ajet tregon një realitet tjetër e ajo është gjithësia të cilën e ka krijuar Allahu dhe natyrshmërinë e saj. Tregon se kjo është një kohë e caktuar në lëvizjen e kësaj gjithësie, qysh kur Allahu i ka krijuar qiejt dhe tokën. Kjo kohë është e ndarë në 12 muaj, as nuk shtohen, as nuk pakësohen.

Përgatiti: Shaban Murati

13.04.2007