Komentimi i ajeteve 2-3 i sures Huxhurat

 

Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij siç i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos ditur ju.” Huxhurat, 2.

Këtu shikojmë se si Allahu përsëri e fillon këtë ajet me fjalën “O ju që keni besuar!”që të ua tërheq vërejtjen besimtarëve dhe të kenë kujdes në atë që vjen pas kësaj thirrje.

Sikur Allahu do të na thotë: Ashtu sikur patët kujdes në ajetin e parë, po ashtu keni kujdes edhe në ajetin e dytë.

Shkaku i zbritjes së këtij ajeti

Thabit ibën Kajs ishte një shok i Pejgamberit (alejhi selam), i cili kur fliste nga natyrshmëria e tij ngrinte zërin lart e, ndonjëherë, edhe para Pejgamberit (alejhi selam), derisa është quajtur edhe ligjëruesi i Pejgamberit (alejhi selam). Kur zbriti ky ajet, Thabiti hyri në shtëpinë e tij, mbylli derën dhe u distancua nga njerëzit. Atëherë Pejgamberi (alejhi selam) hetoi mos prezencën e tij dhe dërgoi njërin prej shokëve të tij të shikojë  se ç’është puna e tij. Kur u kthye personi të cilin e dërgoi Pejgamberi (alejhi selam), e pyeti për  gjendjen e Thabit ibën Kajs, ai u përgjigj: “Ka dëgjuar zbritjen e ajetit ‘O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij siç i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos ditur ju’ dhe tha se unë isha prej atyre që kam ngritur zërin para Pejgamberit dhe frikësohem që të zhduken punët e mia.” Kur i tregoi Pejgamberit për këtë, Pejgamberi (alejhi selam) i tha: “Kthehu dhe thuaj Thabit ibën Kajsit se ti nuk je prej tyre, por ti do të jetosh i lumtur, do të vdesësh shehid dhe do të hysh në xhenet.” Pejgamberi e përgëzoi Thabitin me këto përgëzime dhe  ndodhi me të vërtetë ashtu sikurse e përgëzoi Pejgamberi (alejhi selam).

Prej këtij tregimi përfitojmë se si shokët e Pejgamberit (alejhi selam) u janë përgjigjur menjëherë urdhrave të Allahut dhe të Pejgameberit (alejhi selam). Dobia e dytë është se si Pejgamberi (alejhi selam) ka qenë shumë i kujdesshëm për shokët e tij. Nëse ndonjëri ka munguar,  menjëherë Pejgamberi (alejhi selam) ka pyetur për shkakun e mos prezencës së tij. Kështu, ne përfitojmë nga kjo se si muslimani duhet të kujdeset dhe të pyesë për gjendjen e vëllezërve të tij.

Kuptimi i përgjithshëm i këtij ajeti

Kur zbriti ky ajet Umeri, aq shumë e ulte zërin para Pejgamberit, sa që nuk e dëgjonte Pejgamberi (alejhi selam) se çfarë fliste, derisa e pyeste se çfarë do të thuash.

Allahu nëpërmjet këtij ajeti na udhëzon që zërat tonë mos të jenë më të ngritur se zëri i Pejgamberit (alejhi selam), por zëri i tij të jetë më i larti.

Disa nga dijetarët kanë thënë se ky ajet përfshin muslimanin edhe pas vdekjes së Pejgamberit (alejhi selam). Mos ta ngrijmë zërin tonë kur vizitojmë varrin e tij dhe mos ta ngrijmë zërin tonë kur dëgjojmë ndonjë urdhër të tij, por ta zbatojmë atë. Për këtë, Ibnul Arabij ka thënë: “Shenjtëria e Pejgamberit kur ai ka qenë gjallë është e njëjtë edhe pse ai ka vdekur. Fjala e tij e argumentuar që vjen tek ne është e njëjtë për respekt dhe dëgjim, sikur fjalët e tij që janë dëgjuar nga shokët e tij. Disa dijetarë kanë thënë se edhe në vendet ku prezantojnë dijetarët është e urryer të ngrihet zëri. Sepse dijetarët janë trashëgimtarët e pejgambereve.

Njeriu i cili e ngre zërin para fjalëve të Allahut dhe para fjalëve të Pejgamberit (alejhi selam) është rrezik që të zhduken dhe asgjësohen punët e tij. Për këtë duhet të kemi kujdes që kur na vjen ndonjë argument nga Pejgamberi (alejhi selam) nuk duhet ta refuzojmë dhe ta ngremë zërin para fjalëve të tij, sepse kjo i asgjëson  veprat e njeriut.

Dobitë e këtij ajeti

1. Ndalohet ngritja e zërit mbi zërin e Pejgamberit (alejhi selam).

2. Kujdesi për mos asgjësimin e punëve.

3. Mos t’i ngërmohemi Pejgamberit (alejhi selam) sikur që i ngërmohemi njëri tjetrit.

4. Njeriut ka mundësi që t’i asgjësohen veprat dhe ai mos ta ndiejë, sikur që ka ardhur në hadith se njeriu flet ndonjë fjalë që nuk i kushton rëndësi asaj dhe hidhet me të në zjarr të xhehenemit 70 vite.

 “Ata që ulin zërat e tyre pranë të dërguarit të Allahu., Allahu zemrat e tyre i ka përshtatur për devotshmëri, ata kanë falje mëkatesh dhe shpërblim të madh.”

Huxhurat, 3.

Ky ajet ka lidhje me ajetet e para që i kemi përmendur deri më tani. Pasi që Allahu ua tërheq vërejtjen besimtarëve që mos të ngrenë zërin mbi zërin e Pejgamberit (alejhi selam) fillon t’i lavdërojë ata të cilët i zbatuan këto urdhra të Allahut, siç ishte Umeri. Për këtë, Allahu e lavdëron këtë duke thënë: “Ata që ulin zërat e tyre pranë të dërguarit të Allahut, Allahu zemrat e tyre i ka përshtatur për devotshmëri, ata kanë falje mëkatesh dhe shpërblim të madh.”

Dobitë e këtij ajeti.

1. Lavdërimi ndaj atyre të cilët e ulin zërin e tyre para Pejgamberit (alejhi selam).

2. Sinjalizimi i ajetit në përmirësimin e zemrës  dhe ajo është më me rëndësi se sa përmirësimi i trupit, duke u bazuar në fjalën e Allahut: “Allahu zemrat e tyre i ka përshtatur për devotshmëri.”

3. Shpërblimi i madh ndaj tyre dhe falja e mëkateve të tyre. 

4. Nxitja në edukatën e të folurit.   

Përgatiti: Shaban Murati

07.07.2006