Komentimi i ajeteve 15-17 të sures Huxhurat
Beduinët thanë: "Ne kemi besuar! Thuaj! Ju nuk keni besuar ende, por thoni: ne jemi dorëzuar, e ende nuk po hyn besimi në zemrat tuaja. E nëse e respektoni Allahun dhe të dërguarin e Tij, Ai nuk ju pakëson asgjë nga veprat tuaja, se Allahu është shumë Mëkatfalës, shumë Mëshirues".
Shkaku i zbritjes së këtij ajeti
Ky ajet ka më shumë se një shkak të zbritjes:
Një grup prej beduinëve erdhi tek Pejgamberi dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, besuam.” Ne e dimë se ka dallim në mes të Islamit dhe imanit. Islami është ana e jashtme, ndërsa imani është ana e brendshme. Shtyllat e imanit janë: të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, pejgamberët eTij, Ditën e Fundit dhe në kadanë dhe kaderin.D.m.th.: ka dallim në mes të Islamit dhe imanit. Ndërsa këta beduinë, kur erdhën, atë që e vepruan më së pari, ishte shqiptimi i shehadetit dhe thanë besuam. Ata në realitet vetëm kishin hyrë në Islam me shqiptimin e shehadetit, ndërsa ende nuk kishin besuar. Për këtë ju tha Allahu: “Thuaj! Ju nuk keni besuar ende, por thoni: ne jemi dorëzuar, e ende nuk po hyn besimi në zemrat tuaja.”
Pra, ky ajet i drejtohet Pejgamberit që t’ju thotë atyre se ju keni hyrë në Islam, por ende nuk keni besuar.
Është thënë se ky ajet ka zbritur për një grup të hipokritëve. Por disa dijetarë e kanë refuzuar këtë mendim. Prej tyre që ka refuzuar këtë mendim është edhe Ibën Kethiri, i cili ka thënë: “E vërteta rreth këtij ajeti është se një popull kishin pretenduar se kishin besuar, por në zemrat e tyre ende nuk kishte hyrë imani. Për këtë, Allahu i edukoi ata dhe i mësoi se ende imani nuk ka arritur në zemrat e tyre. E sikur të ishin ai grup prej hipokritëve, Allahu do t’i kishte nxjerrë në sheh fjalët e tyre dhe do t’i kishte poshtëruar.
Po ashtu, ajo që më bën t’i kundërvihem këtij mendimi të dytë që ky ajet nuk ka zbritur tek një grup hipokritësh, është edhe vetë metoda e përfundimit të ajetit, ku Allahu tha: ‘Allahu është shumë Mëkatfalës, shumë Mëshirues’, sepse hipokritit nuk i flitet me këtë butësi, por atij duhet t’i flitet me një vrazhdësi, sepse e njeh të vërtetën dhe e kundërshton atë. Por, ky grup për të cilin flet Allahu në këtë ajet, ishin afër imanit dhe për këtë Allahu i mëshiroi dhe tha se do t’i falë.”
Dobitë e këtij ajeti
1. Nuk duhet që të gjykohet menjëherë në bazë të fjalëve që flet, mos të ngutemi.
2. Kundërshtimi i fjalës së shokut tënd, nëse ajo nuk është e vërtetë.
3. Dallimi në mes Islamit dhe Imanit.
4. Imani është më i veçantë se sa Islami. Mundet njeriu që të llogaritet musliman e mos të jetë besimtar.
5. Sqarimi i lidhjes së Imanit me zemrën.
6. Vlera e respektimit të Allahut dhe respektimit të Dërguarit të Tij.
7. Tregimi i drejtësisë absolute të Allahut.
8. Vërtetimi i dy emrave të Allahut dhe ajo që përmbajnë këta dy emra prej cilësive.
Përgatiti: Shaban Murati
13.01.2007
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
“Thuaj! A ju ia bëni me dije Allahut fenë tuaj (duke thënë: ne besuam), kur Allahu është Ai që e di çka në qiej dhe çka në tokë dhe Allahu është i Dijshëm për çdo send."
Allahu ju drejtohet me këtë ajet: A ju jeni nga ata që Allahut po ja bëni me dije se çka ka në zemrat e tuaja kur Allahu është ai i Cili di se çka ka në qiej dhe në tokë. Si po ia bëni me dije Allahut kur Ai është i Cili di çdo gjë. Ky është një argument i fortë për përgjithësimin e dijes së Allahut.
Ndoshta dikush mund të thotë se ajeti do të ishte kuptuar edhe sikur të vinte në këtë formë: “Thuaj! A ju ia bëni me dije Allahut fenë tuaj (duke thënë: ne besuam), kur Allahu është Ai që e di çka në ( zemrat tuaja).” Atëherë, pse Allahu i përmend qiejt dhe tokën?
Përgjigja:
Ky ajet ka ardhur në këtë formë për të treguar dijen gjithëpërfshirëse të Allahut. Pasi që Allahu e di se çka ka në tokë dhe në qiej, ndërsa ti, o njeri, je prej banorëve të tokës dhe Allahu e di gjendjen tënde.
Pastaj Allahu thotë: “Allahu është i dijshëm për çdo send.”
Dijetari i njohur Ibën Uthejmin ka thënë: “Ky ajet është më gjithëpërfshirës për cilësinë e Allahut. Sepse kjo cilësi përfshin të fshehtën dhe të haptën, të përgjithshmen dhe të veçantën. Ai është i Dijshëm për çdo gjë.
Prej këtij ajeti dijetarët kanë nxjerrë se nuk ka nevojë që njeriu ta shqiptojë nijetin me zë në namaz, sepse Allahu e di se çka po fal ti.
Dobitë e këtij ajeti
1. Tërheqja vërejtjes që mos të themi ndonjë fjalë të pavërtetë dhe mos të themi atë që nuk e kemi me zemër.
2. Vërtetimi i dijës së Allahut gjithpërfshirse.
3. Vërtetimi në ajet se nuk ëhstë vetëm në qiell sepse ajeti ak ardh në form të shumsit.
4. Vërtetimi i emrit të Allahut (El Alim) dhe atë që përmban kjo cilësi.
Përgatiti: Shaban Murati
26.01.2007
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
“Ata të shprehin ty mirënjohës (ta përmendin) që u bënë muslimanë. Thuaj! Pranimin tuaj të fesë islame mos ma njihni (mos ma përmendni) mua, por nëse jeni të sinqertë Allahu juve ju bëri mirë, kur ju udhëzoi për besim."
Shkaku i zbritjes së këtij ajeti
Imam Kurtubi ka thënë: “Ky ajet ka zbritur te beduinët e fisit Esed bin Huzejme, të cilët erdhën tek i Dërguari i Allahut në një vit të thatë pa shi. E shqiptuan shehadetin, ndërsa nuk besuan me zemrat e tyre. I ndotën rrugët e Medinës me ndyrësia dhe çmimet e tyre i shtrejtuan dhe i thoshin të Dërguarit të Allahut: ‘Të kemi ardhur me familje dhe nuk të kemi luftuar, sikur që të kanë luftuar fisi i filanit.’ dhe filluan t’ia përmendin të Dërguarit të Allahut këto dobi dhe se islami i tyre i ka sjellë dobi të Dërguarit të Allahut. Pastaj Allahu e zbriti këtë ajet.
Dobitë e këtij ajeti
1. Ai i cili është i dobët në të kuptuarit e tij, mendon se po i bën dobi Allahut me Islamin e tij.
2. Duhet t’ia kthesh fjalën atij që nuk pajtohet dhe t’ia tregosh të vërtetën.
3. Sqarimi se askush me Islamin e tij nuk i bën dobi Allahut, por Allahu është Ai prej të Cilit kanë dobi krijesat.
4. Kujdesi që njeriu mos të lavdërohet me veten e tij dhe mos t’i hyjë vetja e tij në qejf.
5. Nxitja që njeriu ta falënderojë Allahun për begatitë që ia ka dhënë.
Pastaj Allahu në fund të kësaj sure në ajetin e 18 thotë:
“S'ka dyshim se Allahu e di fshehtësinë e qiejve e të tokës, Allahu sheh atë që punoni ju.”
Me ndihmën e Allahut këtu po përfundojmë dhe po e plotësojmë komentimin e kësaj sureje.
Falënderimi i takon Allahu, ndërsa salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Përgatiti: Shaban Murati
03.02.2007