Komentimi i ajeteve 1-5 të sures Teube

 

“Denoncim nga Allahu dhe i dërguari i Tij ndaj idhujtarëve me të cilët ju patët lidhur kontratë (kumtesë për shkëputjen e marrëveshjes).

Pra, ju (idhujtarë) qarkulloni nëpër tokë (lirisht) katër muaj, e dijeni se fuqinë e Allahut nuk mund ta bëni të paaftë dhe se Allahu mposhtë mohuesit.

Dhe (ky është) një kumtim nga Allahu dhe i dërguari i Tij, drejtuar gjithë njerëzve në ditën e haxhit të madh, se Allahu është tërhequr prej (marrëveshjes së) idhujtarëve, e njëkohësisht edhe i dërguari i Tij. Po, nëse pendoheni, do të jetë më mirë për ju, e nëse ia ktheni shpinën (rrugës së drejtë), ta dini se nuk mund t'i shpëtoni (ndjekjes së) Allahut. E, ti përgëzoji ata që mohuan me një dënim të padurueshëm.

Pos atyre idhujtarëve me të cilët keni lidhur marrëveshje, e të cilët nuk ju kanë shmangur asgjë dhe nuk e kanë ndihmuar askënd kundër jush, pra, edhe ju përmbushni marrëveshjen e tyre deri në afatin e caktuar. S'ka dyshim se Allahu i do të devotshmit. E kur të kalojnë muajt e shenjtë, luftoni idhujtarët kudo që t'i gjeni, robëroni dhe ngujoni ata, e i vini pritë në çdo shteg. Në qoftë se pendohen, e falin namazin dhe e japin zeqatin, atëherë ua lëshoni rrugën, se vërtet Allahu fal, është Mëshirues.” Teube, 1-5.

I Dërguari i Allahut, sa ishte në Hudejbije, bëri marrëveshje me jobesimtarët për dhjetë vjet, me kushte shumë të lehta, jo pse i Dërguari i Allahut dhe muslimanët ishin të dobët. Fisi Huza kishte hyrë në mbrojtjen e të Dërguarit të Allahut, ndërsa fisi Benu Beker kishte hyrë në mbrojtjen e kurejshitëve. Pastaj lindi mosmarrëveshje mes fisit Huza dhe fisit Benu Beker. Kurejshët i ndihmuan fisit të tyre, të cilët kishin hyrë nën mbrojtjen e tyre me armë dhe kështu e prishën marrëveshjen e tyre. Ky ishte shkaku dhe kthimi i luftës me të gjithë jobesimtarët dhe çlirimi i Mekës.

Transmeton imamAhmedi, Ebu Daudi, Nesaiu, Ibni Hibani në “Sahihun” e tij, po ashtu edhe Hakimi transmeton dhe thotë se zinxhiri i këtij është i vërtetë, dhe se fillimi i kësaj sure ka zbritur mbi të Dërguarin e Allahut, kur ai ishte duke u kthyer prej betejës së Tebukut dhe dëshiroi të bëj haxhin. Pastaj i përmendën se edhe mushrikët do të prezantojnë në haxh në këtë vit, sipas zakonit të tyre dhe do të bëjnë tavaf të zhveshur siç e kishin zakon. I Dërguari i Allahut e urreu që të përzihet me ta dhe e dërgoi Ebu Bekrin udhëheqës në këtë vit që të jua mësojë njerëzve rregullat e haxhit dhe t’i njoftojë jobesimtarët që  mos të bëjnë haxh pas këtij viti dhe e urdhëroi që  t’i thërras njerëzit dhe tua lexojë: “Denoncim nga Allahu dhe i dërguari i Tij ndaj idhujtarëve me të cilët ju patët lidhur kontratë (kumtesë për shkëputjen e marrëveshjes)”.

 Ajeti duket qartë se përfshin të gjithë jobesimtarët, të cilët kishin marrëveshje me të Dërguarin e Allahut, dhe pas përfundimit të katër muajve të cekur në fjalën e Allahut: “Pra, ju (idhujtarë) qarkulloni nëpër tokë (lirisht) katër muaj...”

Nuk do të ketë më marrëveshje për jobesimtarët.

Pastaj Allahu thotë:

“Pra, ju (idhujtarë) qarkulloni nëpër tokë (lirisht) katër muaj, e dijeni se fuqinë e Allahut nuk mund ta bëni të paaftë dhe se Allahu mposhtë mohuesit.”

Imam Taberiu, pasi që i cek komentimet në këtë, thotë: “Kjo është sa i përket atyre që kanë pasur marrëveshje me të Dërguarin e Allahut dhe pastaj i kanë prishur marrëveshjet e tyre, para se të përfundojë afati i marrëveshjes. Ndërsa sa u përket atyre të cilët nuk i kanë prishur marrëveshjet e tyre dhe nuk janë ngritur kundër të Dërguarit të Allahut, Allahu e urdhëroi të Dërguarin e Tij që të plotësojë me ta marrëveshjen deri afatin që e kanë patur, bazuar nga fjala e Allahut: “Përveç atyre idhujtarëve me të cilët keni lidhur marrëveshje, e të cilët nuk ju kanë shmangur asgjë dhe nuk e kanë ndihmuar askënd kundër jush, pra, edhe ju përmbushni marrëveshjen e tyre deri në afatin e caktuar. S'ka dyshim se Allahu i do të devotshmit.”

Disa dijetarë kanë thënë:

“Fillimi i katër muajve të marrëveshjes që përmendet në këtë ajet janë prej muajit sheval e deri në fund të muajit Muharrem”.

Ka thënë Zuhriu: “Por Kurani  tregon se fillimi i tyre ka qenë prej ditës së dhjetë të dhulhixhes, ndërsa përfundimi ka qenë në ditën e dhjetë të muajit rebiul thani.” Kjo është edhe fjala më e vërtetë që e përmend edhe Ibnu Kethiri se fillimi i këtyre muajve ka qenë prej ditës së dhjetë të muajit dhulhixhe, ku argumentohet me fjalën e Allahut: “Dhe (ky është) një kumtim nga Allahu dhe i dërguari i Tij, drejtuar gjithë njerëzve në ditën e haxhit të madh, se Allahu është tërhequr prej (marrëveshjes së) idhujtarëve, e njëkohësisht edhe i dërguari i Tij. Po, nëse pendoheni, do të jetë më mirë për ju, e nëse ia ktheni shpinën (rrugës së drejtë), ta dini se nuk mund t'i shpëtoni (ndjekjes së) Allahut. E, ti përgëzoji ata që mohuan me një dënim të padurueshëm.”

Imam Bugaviu thotë: “Komentatorët e Kuranit kanë thënë se kur i Dërguari i Allahut doli në betejën e Tebukut, hipokritët e përhapën lajmin, jobesimtarët filluan t’i prishin marrëveshjet që i kishin me të Dërguarin e Allahut dhe Allahu i zbriti këto ajete në lidhje me këta, duke iu dhënë afat atyre, nëse i kanë më pak se katër muaj deri në katër muaj, ose duke jua kufizuar atyre që kanë pasur më shumë në katër muaj”.

Dijetarët kanë fjalë të shumta se kush janë këta jobesimtarë. Ajo të cilën e sqaron Kurani dhe atë që dëshmojnë këto fjalë se janë ata jobesimtarë të cilët kanë pasur marrëveshje me të Dërguarin e Allahut pa ndonjë afat të caktuar, ose ata të cilët kanë pasur marrëveshje më pak se 4 muaj t’i plotësojnë 4 muaj. Ndërsa sa i përket ata të cilët kanë pasur më shumë se 4 muaj marrëveshje ata duhet t’i plotësojnë muajt e marrëveshjes. Për këtë kemi argument fjalën e Allahut.“Pos atyre idhujtarëve me të cilët keni lidhur marrëveshje, e të cilët nuk ju kanë shmangur asgjë dhe nuk e kanë ndihmuar askënd kundër jush, pra, edhe ju përmbushni marrëveshjen e tyre deri në afatin e caktuar. S'ka dyshim se Allahu i do të devotshmit.”

Këtë e ka zgjedhur edhe komentatori Ibni Xheriri, po ashtu është transmetuar edhe nga Kelbi dhe Muhamed b. Kab el Kardhij. Po ashtu ka thënë Ibnu Kethiri se këtë e përforcon edhe fjala e Aliut, i cili ka thënë se kur kanë zbritur këto ajete më dërgoi i Dërguari i Allahut te jobesimtarët me katër gjëra:

1. Nuk do të bëhet tavaf rreth Qabes të zhveshur.

2. Nuk do t’i afrohet Xhamisë së Shenjtë (Qabes) asnjë jobesimtar, pas këtij viti.

3. Ata që kanë pasur marrëveshje me të Dërguarin e Allahut, marrëveshja përfundon me përfundimin e afatit të saj.

4. Nuk do të hyj në xhenet përveç se njeriu besimtar.

Pastaj Allahu thotë:

“E kur të kalojnë muajt e shenjtë, luftoni idhujtarët kudo që t'i gjeni, robëroni dhe ngujoni ata, e i vini pritë në çdo shteg. Në qoftë se pendohen, e falin namazin dhe e japin zeqatin, atëherë ua lëshoni rrugën, se vërtet Allahu fal, është Mëshirues”

Dijetarët kanë rënë në mospajtim se  cilët muaj janë për qëllim në këtë ajet:

Ibën Xheriri thotë se muajt e shenjtë janë për qëllim në këtë ajet muajt e shenjtë të cilët janë të përmendur në fjalën e Allahut: “Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu siç është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë.” dhe ka thënë se fundi i këtij muaji është muaji muharrem.

Por, ajo vërehet prej ajetit se për qëllim në këtë ajet janë muajt të cilët Allahu u ka dhënë afat në marrëveshje ku i përmend:“Pra, ju (idhujtarë) qarkulloni nëpër tokë (lirisht) katër muaj.”

Allahu u drejtohet se nëse kalojnë muajt të cilët u është dhënë afati, atëherë nuk ka marrëveshje dhe ju, lejohet lufta.

Përgatiti: Shaban Murati

23.02.2007