Disa hadithe të zgjedhura
DURIMI - QËNDRESA (SABRI)
All-llahu i madhërishëm thotë:
“O besimtarë, kini durim dhe jini të qëndrueshëm...”
(Ali Imran, 200)
“Por kush duron dhe falë, ajo është nga punët e mençura”.
(esh-Shûrâ 43)
“...Kërkoni ndihmë për vete duke duruar dhe duke kryer faljen! All-llahu pa dyshim është me durimtarët”.
(el-Bekare, 153)
HADITHET
Nga Ebu Malik el-Harith ibn Asim el-Esh’arij r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Pastërtia është gjysma e imanit (besimit), el-hamdu li-l-lahi (falënderimi All-llahut) ia plotëson (besimtarit) peshojën (e veprave), subhanall-llahi velhamdu li-l-lahi (lavdia dhe falënderimi All-llahut) e mbush krejt në mes të qiejve dhe të Tokës, namazi është dritë (e zemrës), sadakaja (lëmosha) është dëshmi (e besimit), durimi (sabri) është shkëlqim, kurse Kur’ani është argument për ty ose kundër teje. Çdo njeri kur gdhin, shpirtin e vet e shet, e shpëton ose e shkatërron”.
Nga Ebu Seid Sa’d ibni Malik el-Hudrij r.a. transmetohet se ka thënë: “Një grup njerëzish prej Ensarëve kërkoi (gjësende të ndryshme) nga i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe ai u dha, ata përsëri kërkuan, e ai prap u dha çka kërkuan derisa nuk i mbeti atij asgjë, e kur harxhoi krejt çka kishte ju tha atyre: “Çdo gjë të mirë që posedoj do t’ju jap, asgjë nuk do të kursej as s’do të mbaj për vete, por kush dëshiron dhe kërkon dëlirësi, All-llahu do t’ia japë e kush kërkon dhe dëshiron pavarësi, All-llahu do ta bëjë të pavarur, të pasur. Kush bën shumë durim, All-llahu do t’i ndihmojë në durim. Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më e rëndësishme se sa durimi (sabri)”.
Nga Ebu Jahja Suhejb ibn Sinan r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “E çuditshme është çështja e besimtarit. Çështja e tij është krejt mirë për të dhe nuk është e tillë për askend tjetër. Nëse besimtarin e godet gëzimi, ai falënderon (All-llahun), e kjo i sjell dobi, kurse nëse e godet e keqja, ai bën durim (sabër) andaj edhe kjo i sjell dobi”.
Transmetohet nga Ebu Zejd Usame ibn Zejd ibn Hârithe - rob i liruar i të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s., i dashur i tij dhe bir i të dashurit të tij r.a. se ka thënë: “Vajza e Pejgamberit s.a.v.s. më dërgoi tek Alejhisselami me porosi se djalin e ka të sëmurë për vdekje, që të vijë tek ajo. Pejgamberi e kthen me selam dhe i thotë: “Vërtet, e All-llahut është gjithçka që merr, gjithçka që jep dhe çdo gjë tek Ai është e afatizuarandaj le të bëjë durim duke llogaritur shpërblim me të tek All-llahu”. Vajza e Alejhisselamit e dërgoi përsëri dhe i betohet që të vijë. (Alejhisselami) U ngrit në këmbë, e me të ishin: Sa’d ibn Ubade, Muadh ibn Xhebel, Ubej ibn Ka’b, Zejd ibn Thabit dhe të tjerë radijall-llahu anhum. Kur erdhi Pejgamberi te vajza e tij ia dhanë fëmijën në duar, ky e mori në prehrin e vet, trupi i dridhej ndërsa lotët i rridhnin rrëke. Sa’di i tha: “Ç’është kjo, o i Dërguari i All-llahut? (Pejgamberi) Tha: “Kjo është mëshirë të cilën All-llahu e vendos në zemrat e robërve të tij”. Kurse sipas një transmetimi tjetër: “Në zemrat e robërve të tij të cilëve dëshiron, dhe njëmend, All-llahu bën mëshirë ndaj robërve të tij të mëshirshëm”.
Transmetohet nga Enesi r.a. që thotë: “Pejgamberi s.a.v.s. kaloi pranë një gruaje e cila qante mbi një varr dhe i tha: “Frikësoju All-llahut dhe bëj durim”. Gruaja i tha: “Largohu prej meje, sepse ty nuk të ka goditur fatkeqësia ime!” Ajo nuk e njihte të Dërguarin. Kur i treguan se ai ishte Pejgamberi s.a.v.s. ajo shpejtoi deri te dera e shtëpisë së Pejgamberit dhe pasi nuk gjeti roje te dera, e hapi derën dhe tha: (O i Dërguari i All-llahut) “Unë ty nuk të kam njohur”. (Pejgamberi) Tha: “Durimi është në goditjen e parë (sepse atëherë është më së vështiri)”.
Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “All-llahu i madhërishëm thotë: “Shpërblimi i robit tim besimtar, kur t’ia merr të dashurin e tij nga banorët e kësaj bote, e ai bën durim për të duke llogaritur shpërblim, është me Xhennet”.
Transmetohet nga Aisheja r.a. se ajo e ka pyetur të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s për murtajën (taûn) dhe ai e ka lajmëruar se: “Ajo është dënim (adhab) që All-llahu ia dërgon kujt të dojë, kurse për besimtarët e ka bërë mëshirë (rahmet). Nuk ka asnjë rob që gjendet në vendin ku është përhapur murtaja dhe që qëndron në vendin e vet, duke duruar dhe duke llogaritur në shpërblimin e All-llahut (për durim) dhe duke ditur se asgjë nuk mund ta godasë përveç asaj që All-llahu ia ka përcaktuar - e që të mos e ketë shpërblimin e shehidit”.
Transmetohet nga Enesi r.a. që thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “All-llahu xh.sh. thotë “Nëse robin timin e sprovoj me dy të dashurit e tij (me humbjen e syve) e ai bën durim, do t'ia kompensojë me Xhennet”.
Nga Ata’ibn Ebi Rebahu transmetohet se ka thënë: “Mua ibni Abbasi më ka thënë: “A do të ta tregoj një nga gratë e Xhennetit? “Gjithsesi” i thashë, e ai më tha: “Kjo grua zezake erdhi te Pejgamberi s.a.v.s. e i tha: “Mua nganjëherë më godet epilepsia dhe unë atë e fsheh (nga njerëzit), andaj lute për mua All-llahun e madhërishëm”. (Pejgamberi) Tha: “Nëse do, bëj durim në sëmundje, do ta fitosh Xhennetin, e nëse do, po i bëj lutje All-llahut të madhërishëm që të të shërojë”. Ajo tha: “Do të duroj”. Pastaj ajo vazhdoi: “Unë e kam fshehur, andaj lute All-llahun që më mos ta fsheh”. Dhe Pejgamberi i bëri lutje”.
Transmetohet nga Ebu Abdurrahman Abdull-llah ibn Mes’udi r.a. i cili ka thënë: “Sikur e shikoj të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s se si tregon për njërin nga pejgamberët e All-llahut salavatull-llahi ve selamuhu alejhim se si e ka rrah populli i vet aq shumë sa e ka përgjakur, ndërsa ai duke e fshirë gjakun nga fytyra thoshte: “O Zoti im, fale popullin tim, se ata nuk dinë”.
Nga Ebu Seidi dhe Ebu Hurejre r.anhuma përcillet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Çkado që e godet muslimanin, qoftë lodhje, pikëllim, brengë, hidhërim, mundim nga sëmundje a fatkeqësi, madje edhe të shpuarit e ferrës - me secilën prej këtyre All-llahu ia shlyen mëkatet atij”.
Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kujt dëshiron All-llahu t'i japë të mira, do të qëllohet nga Ai (në trup, në pasuri, apo në të dashurit”.
Nga Enesi r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Assesi askush prej jush mos ta dëshirojë vdekjen e vet për shkak se e ka goditur ndonjë e keqe. E nëse është i detyruar, atëherë le të thotë: O Zoti im, më le të jetoj derisa të jetë për mua jeta më e dobishme, kurse më vdis kur të jetë vdekja për mua më e dobishme”.
Transmetohet nga Ebu Abdull-llah Habbab ibn el-Eret'ti r.a. që thotë: “Iu ankuam të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. (për persekutimet nga mushrikët) derisa ai ishte i mbështetur nën hije të Qa’bës në burdën e tij që e kishte bërë jastëk, e ne i thamë: “A nuk do të na ndihmosh, a nuk do të na bësh lutje (dua)? Ai na tha: “Më parë (para jush), për shkak të fesë e merrnin njeriun, ia hapnin një gropë, e vendosnin në të, e pastaj e merrnin sharrën dhe ia vendosnin në kokë dhe e përgjysmonin, pastaj ia rrjepnin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri, por as kjo nuk e largonte nga feja e tij. Pasha All-llahun, All-llahu do ta plotësojë këtë fe ashtu që kalorësi do të shkojë prej Sana-së deri në Hadramevt e nuk do të frikësohet prej askujt tjetër përveç prej All-llahut, dhe prej ujkut për kopenë e vet, mirëpo ju po nguteni-(nuk jeni durimtarë)”.
Nga Enesi r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kur All-llahu i dëshiron një robi të vet diç të mirë (hajr), Ai ia shpejton dënimin në këtë botë, ndërsa kur All-llahu dëshiron që një rob të vet ta qëllojë e keqja (sherr), Ai ia lë mëkatet e pafalura në këtë botë, ashtu që të vijë me mëkate në Ditën e gjykimit dhe aty e gjen e keqja”. Pejgamberi s.a.v.s. po ashtu ka thënë: “Vërtet madhësia e shpërblimit është sipas madhësisë së vështirësisë (fatkeqësisë). Vërtet All-llahu kur e do një popull,Ai e sprovon me fatkeqësira. Kush është i kënaqur me All-llahun në fatkeqësi (bela), edhe All-llahu është i kënaqur me të, ndërsa kush hidhërohet për këtë, edhe All-llahu hidhërohet me të”.
Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Nuk është trimëri në dyluftim (mundje), por trimëri është ta përmbash veten nga zemërimi”.
Nga Sulejman ibn Sured r.a. përcillet se ka thënë:”Isha ulur me Pejgamberin s.a.v.s. kurse dy njerëz shaheshin ndërmjet veti. Njëri prej tyre u skuq prej zemërimit dhe iu frynë damarët e qafës. I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Vërtet unë e di një fjalë që nëse e thotë do t'i kalojë ajo që e ka gjetur. Nëse thotë: E’udhu bi-l-lahi mineshshejtanirr-rraxhim (I mbështetëm All-llahut nga djalli i mallkuar), do t’i kalojë ajo që e ka kapluar”. Të pranishmit i thanë: “Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë që t’i mbështetesh All-llahut nga djalli i mallkuar”.
Nga Muadh ibn Enesi r.a. përcillet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush e përmban zemërimin e tij edhe atëherë kur ka mundësi ta shprehë (mbi personin që e ka zemëruar), All-llahu i madhërishëm në Ditën e gjykimit do ta ftojë që para të gjitha krijesave ta zgjedhë cilën të dojë nga hyrijat”.
Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet: “Një njeri i tha të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s.: “Më porosit diçka (më përudhë)”. I Dërguari tha : “Mos u zemëro!” Ky e përsëriti pyetjen disa herë. I Dërguari sërish tha: “Mos u zemëro!”.
Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Besimtarit dhe besimtares nuk i pushojnë së godituri fatkeqësitë në vetveten e tij, në fëmijët e tij dhe në pasurinë e tij, derisa të takohet me All-llahun e madhërishëm kur në të nuk do të mbetet asnjë mëkat”.
RËNDËSIA E NAMAZIT
All-llahu i madhëruar në Kur’an thotë:
“Namazi me të vërtetë të pengon nga amoraliteti dhe nga çdo gjë e keqe”.
(el-Ankebut:45)
HADITHET
Ebu Hurejre r.a. thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: “Çka mendoni, sikur të ishte një lumë para derës së njërit prej jush, në të cilin do të lahej për çdo ditë nga pesë herë, a do të mbetej në të ndytësi?” Të pranishmit thanë: “Nuk do të mbetej kurrfarë ndytësie”. Pejgamberi s.a.v.s. atëherë tha: “Ky është shembulli i pesë kohëve të namazit. All-llahu me faljen e namazeve i shlyen mëkatet”.
Xhabiri r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Shembulli i pesë kohëve të namazit është sikurse një lumë i rrjedhshëm dhe i pastër para derës së njërit prej jush, në të cilin ai lahet pesë herë në ditë”.
Ibnu Mes’udi r.a. tregon se një njeri e kishte puthur një grua vetëm një herë dhe erdhi te Pejgamberi s.a.v.s. që t’i lajmërojë (i penduar për atë mëkat). Atëherë All-llahu e shpalli ajetin: “Fale namazin ditën dhe natën, vërtet punët e mira i shlyejnë punët e këqija”. Njeriu atëherë i tha Pejgamberit s.a.v.s.: “A vlen kjo për mua?” Pejgamberi s.a.v.s. iu përgjigj: “Për mbarë ummetin tim!”
DITURIA
All-llahu i madhëruar thotë:
“Qoftë lartësuar All-llahu, Sundues i vërtetë! Dhe mos u ngut me leximin e Kur’anit para se të përfundojë shpallja e tij, dhe thuaj: “O Zoti im, shtoma diturinë!”
(Ta Ha, 114)
“Apo është ai, që orët e natës i kalon me fytyrë në tokë (në lutje), duke u frikësuar nga bota tjetër dhe duke shpresuar në mëshirën e Zotit të vet? Thuaj: “A janë njëlloj ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Mësim marrin vetëm të mençurit”.
(Zumer, 9)
“O besimtarë. Kur ju thuhet: “Bëni vend në tubim, ju zgjeroni vendin që edhe All-llahu t’ju vendosë”, por kur ju thuhet: “Kundërshtoni” - ju kundërshtoni! All-llahu, ata nga mesi juaj, që besojnë dhe ata të cilëvet u është dhënë dijenia, do t’i ngritë në shkallë të lartë. All-llahu është i informaur se ç’punoni”.
(Muxhadele, 11)
“Ka gjithashtu edhe njerëz edhe gjallesa e kafshë ngjyrash të ndryshme. Por All-llahut, nga robërit e tij, i frikësohen të dijshmit. All-llahu është, njëmend, i fortë dhe fal”. (Fatir, 28)
HADITHET
Nga Muaviu r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kujt i dëshiron All-llahu mirë, e përudhë për të kuptuar dispozitat e fikhut (sheriato-juridike)”.
1385. Nga Ibni Mes’udi r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Nuk lejohet zilia, përveç për dy njerëz: njeriut të cilit All-llahu i ka dhënë pasuri dhe e ka udhëzuar që atë pasuri ta shpenzojë në rrugën e së vërtetës, dhe njeriut të cilit All-llahu i ka dhënë urtësi, dhe sipas urtësisë së tij gjykon dhe i mëson të tjerët”.
Nga Sehl b. Sa’di r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. i ka thënë Aliut r.a.: “Pasha All-llahun, që All-llahu nëpërmjet teje ta udhëzojë një njeri është më mirë për ty sesa një kope të deveve më të mira”.
Nga Abdull-llah b. Amr b. el-Asi r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Transmetoni të tjerëve ç’kam thënë, qoftë edhe një ajet, tregoni për Bijtë e Izraelitëve pa shtuar. Kush gënjen me qëllim ndaj meje, vetes le t’i përgatitë vendin në zjarr”.
Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush niset në rrugë që të kërkojë dituri, All-llahu do t’ia lehtësojë rrugën për në Xhennet”.
Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush thërret në rrugë të vërtetë do të shpërblehet aq sa edhe të gjithë ata që e kanë ndjekur, e që në këtë nuk do t’u mungonte asnjë pjesë e shpërblimit të tyre”.
Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kur vdes njeriu, sevabet i pushojnë t’i arrijnë, përveç në tri raste: sadakasë së përhershme, shkencës prej të cilës ka dobi njerëzia dhe fëmijës së mirë i cili lutet për të”.
Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Bota është e mallkuar dhe çdo gjë e saj është e mallkuar, përveç të përmendurit e All-llahut dhe asaj që shpie kah Ai dhe çka pason pas Tij, dhe njeriut të ditur dhe atij që mëson”.
Nga Enesi r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush del nga shtëpia për shkak të kërkimit të diturisë, konsiderohet se është në rrugën e All-llahut derisa nuk kthehet nga rruga”.
Nga Ebu Se’id el-Hudrij r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Besimtari nuk ngopet nga e mira, derisa nuk përfundon në Xhennet”.
Nga Ebu ed-Derdan r.a. transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Kush niset për në rrugë duke kërkuar dije, All-llahu do t’ia lehtësojë rrugën për në Xhennet. Vërtet edhe melekët ndërpresin fluturimin e tyre (në shenjë respekti) për kërkuesin e dijes nga kënaqësia me veprën e tij. Për dijetarin falje kërkon çdo gjë në qiej dhe në tokë, e madje edhe peshqit në ujë. Vlera e dijetarit ndaj robit të devotshëm është sikur që është vlera e hënës ndaj planeteve të tjera. Vërtet dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve; pejgamberët nuk kanë lënë trashëgimi dinarë as dirhemë, ata vërtet kanë lënë për trashëgimi dijen, prandaj kush e merr, le ta marrë në përmasën më të madhe”.
Nga Ebu Hurejre te r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush pyetet për një dituri, e ky atë e fshehë, në Ditën e gjykimit do të hidhet me litar nga zjarri”.
Nga Abdull-llah b. Amr. b. el-Asi r.a. transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “All-llahu i madhëruar nuk do t’ua marrë (njerëzve) dijen në atë mënyrë që do t’ua nxjerrë nga shpirtrat e tyre, por do ta marrë ashtu që do të bëjë të vdesin të diturit, pas së cilës në Tokë nuk do të mbetet asnjë njeri i ditur i cili do t’u bëhej imam. Atëherë njerëzit vetes do t’i marrin për imamë injorantët dhe do t’u shtrojnë pyetje të ndryshme fetare, kurse ata do t’u përgjigjen (japin fetva) pa dije përkatëse, me çka botën do ta lajthisin dhe vetveten do ta shkatërrojnë”.
