Vlera e pastërtisë në Islam
Islami i ka dhënë shumë rëndësi pastërtisë, për shkak të nevojës së madhe të njeriut për të në jetë (fe, çështjet e dunjasë, etj.):
1.Pastërtia është çelësi i namazit: “O ju që besuat! Kur doni të ngriteni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjt. Nëse jeni xhunubë, atëherë pastrohuni (lahuni)” [Maide, 6].
I Dërguari alejhi selam thotë: “Çelësi i namazit është pastrimi, fillimi i tij është tekbiri e përfundimi i tij është selami” [Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu]. Pastrimi është çelës i namazit, sepse njeriu pa të sikur e ka një dry që e ndalon nga namazi, por me pastërti e eviton dryrin dhe është i gatshëm për falje.
2.Pastërtia është gjysma e imanit, Pejgamberi alejhi selam thotë: “Pastrimi është gjysma e imanit dhe fjala el-hamdulil-lah e plotëson peshoren” [Transmeton Muslimi]. Qëllimi me pastrimin është pastrimi trupor dhe moral, e me këtë përfshin një pjesë të madhe të besimit të plotë, i cili përbëhet nga besimi, deklarimi dhe puna. Disa thonë se abdesi është gjysma e namazit, ngase me fjalën iman nganjëherë synohet namazi: “Allahu nuk është që t’ua humb besimin tuaj” [Bekare, 143] pra, namazin tuaj në Bejtul Makdis.
3.Pastërtia është simbol i natyrës së shëndoshë njerëzore dhe që tregon kulturën e njeriut, Pejgamberi alejhi selam thotë: “Dhjetë gjëra janë nga natyrshmëria: shkurtimi i mustaqeve, lëshimi i mjekrrës, misvaku, pastrimi i hundës me ujë, prerja e thonjve, pastrimi i nyjeve të gishtërinjve, heqja e qimeve të sqetullave, pastrimi i vendeve të turpshme dhe pastrimi me ujë pas kryerjes së nevojës së madhe.” Mus’ab bin Shejbe (njëri prej transmetuesve të hadithit) thotë: E kam harruar të dhjetën, por më duket se është: pastrimi i gojës me ujë. [Transmeton Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe]
4.Pastërtia është shkak për fitimin e dashurisë dhe kënaqësisë së Allahut, në Kur’an thotë: “Allahu i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen e ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.” [Bekare, 222], dhe thotë: “Ti mos u fal aty kurrë! Një xhami e cila që prej ditës së parë është themeluar në respekt ndaj Allahut (pa hile), është më e drejtë të falesh në të, aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e Allahu i do të pastrit.” [Tevbe, 108]
5.Pastërtia është prej gjërave, të cilat nëse njeriu i lë e meriton ndëshkimin në varr pasi që të pyetet për besimin e tij. Ibn Abasi thotë: Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kaloi pranë dy varreve dhe tha: “Këta dy janë duke u dënuar, nuk dënohen për një gjë të madhe. Njëri prej tyre nuk është kujdesur gjatë urinimit, ndërsa tjetri ka bartur fjalë (shpifur).” [Transmeton Buhariu]
6.Pastërtia është shkak i ndriçimit të fytyrave në Ditën e Gjykimit, Pejgamberi alejhi selam thotë: “Ummeti im do të thirret në Ditën e Gjykimit me fytyra dhe gjymtyrë të ndriçuara nga gjurmët e abdesit, kush mund ta zgjerojë këtë ndriçim le ta bëjë atë.” [Transmeton Buhariu dhe Muslimi]
7.S’ka dyshim se pastërtia është prej faktorëve kryesorë të mbrojtjes nga sëmundjet dhe pengimin e përhapjes së tyre në shoqëri. Andaj Islami kujdeset shumë për pastërtinë e trupit dhe rrobave si edhe për ruajtjen dhe pastërtinë e ambientit, Pejgamberi alejhi selam thotë: “Ruanu prej dy mallkimeve! Thanë: Cilat janë ato dy mallkime? Tha: Mallkimi mbi atë që kryen nevojën në rrugën e njerëzve apo në vendulëset e tyre në hije.” [Transmeton Muslimi] Poashtu kujdeset edhe për pastërtinë e vendbanimeve, rrugëve dhe oborreve, Pejgamberi alejhi selam thotë: “Allahu është i mirë dhe e do të mirën, është i pastër dhe e do pastërtinë, është fisnik dhe e do fisnikërinë, është bujar dhe e do bujarinë, pastroni oborret tuaja dhe mos i përngjani çifutëve.” [Transmeton Tirmidhiu]