Tejemumi

Në fillim të kapitullit të pastërtisë kemi theksuar se dispozitat që kanë të bëjnë me pastërtinë, ashtu siç kanë për qëllim mënjanimin e ndyrësirave konkrete dhe kujdesin për mirëmbajtjen e pastërtisë për besimtarin, janë në vetvete edhe rite (adhurime) që synojnë afrimin tek Allahu i Lartësuar. Kështu, për shembull muslimani me anë të gusulit jo vetëm që pastron trupin dhe mënjanon ndyrësirat, por realizon edhe një adhurim të caktuar nga Allahu i Lartësuar dhe me këtë arrin shpërblim. Kështu është edhe me abdestin, me prerjen e thonjve, me shkurtimin e mustaqeve, me mënjanimin e qimeve nga sqetullat, me bërjen synet etj.1

Pasi kuptuam këtë, themi se nganjëherë është e mundur që besimtari të gjendet në situata ku nuk ka mundësi të realizojë pastrimin e vërtetë (me ujë), qoftë për shkak të pamundësisë së shfrytëzimit të ujit, qoftë për shkak të mungesës së tij. Këto situata mund të zgjasin edhe për kohë të gjatë, prandaj që besimtari të mos e harrojë rëndësinë e saj dhe që të mos privohet nga shpërblimet që fitohen nga këto rite, Allahu i Lartësuar ka përcaktuar edhe pastrimin formal (tejemumi me dhe) si simbol i pastrimit të vërtetë (me ujë). Prandaj, besimtari i cili gjendet në situatat ku nuk ka mundësi ta përdorë ujin për të arritur pastërtinë e vërtetë, është i detyruar t`i qaset pastërtisë e cila është e tillë vetëm sipas trajtimit, në mënyrë që domethënia e pastërtisë dhe e kujdesit ndaj saj të mbetet thellë e ngulitur në shpirt dhe ai mos ta harrojë këtë praktikë të zakonshme.

Përkufizimi i tejemumit

Në aspektin gjuhësor fjala tejemum do të thotë qëllim ose vendosmëri për të vepruar diçka. Kurse në terminologjinë e sheriatit tejemumi është adhurim (ibadet) me të cilin fërkohet fytyra dhe duart me dhe të pastër në rast të pamundësisë së përdorimit të ujit.
Tejemumi zëvendëson gusulin dhe abdestin në rast të mosekzistimit të ujit ose kur kemi ujë, por nuk mund ta përdorim atë nga sëmundja ose për ndonjë arsye tjetër.

Tejemumi është specifikë e umetit të Muhamedit salallahu alejhi ue selem

Tejemumi është një nga adhurimet me të cilat është specifikuar umeti i Muhamedi salallahu alejhi ue selem nga umetet e mëhershme.
Xhabiri transmeton se Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Më janë dhënë pesë gjëra, të cilat nuk i ka pasur asnjë Pejgamber tjetër para meje:... (ndër to) më është bërë e tërë toka xhami dhe pastrim (tahur) ...”2. Do të thotë se muslimani e ka të lejuar ta falë namazin në çdo vend në tokë, kurse umetet e mëhershme mund të faleshin vetëm nëpër vendfaljet e përcaktuara që ndërtonin. Pastaj edhe toka për muslimanin është pastrim (tahur), që do të thotë se me të mund të pastrohet, dhe këtu është fjala për tejemumin.

Argumentet rreth ligjshmërisë së tejemumit

Argumenti më i qartë dhe më i drejtpërdrejt për tejemumin është thënia e Allahut të Lartësuar: “Në qoftë se jeni të sëmurë, ose në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose keni kontaktuar me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë mësyni dheun e pastër (merrni tejemum) dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja.”3

Shkaku i zbritjes së ajetit të tejemumit

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon shkakun e zbritjes së ajetit të 6-të të sures Maide: “Dolëm me Pejgamberin e Allahut në një nga udhëtimet e tij. Kur arritëm afër vendbanimit el`Bejda ose Dhatu Xhejsh, u këput qaforja ime dhe humbi. Resulullahu salallahu alejhi ue selem ndaloi për ta kërkuar, pas tij këtë e bënë edhe njerëzit e tjerë, por ata nuk kishin ujë me vete. Disa nga njerëzit erdhën tek Ebu Bekri dhe i thanë: “E sheh ç`bëri Aishja? E ndaloi Resulullahun dhe të tjerët, ndërsa ata nuk janë afër ujit, as nuk kanë ujë me vete.”
Pasi u ankuan sahabët tek Ebu Bekri për këtë, ai (tregon Aishja) erdhi tek unë, derisa Resulullahu kishte fjetur duke vënë kokën në kofshën time, dhe më tha se si e ke ndaluar Resulullahun dhe të gjithë njerëzit, kur ata nuk kanë ujë dhe vendi nuk kishte ujë. Kështu, ai më qortoi duke folur aq sa deshi Allahu të më flasë, duke më shtypur vazhdimisht me dorë në bel. Unë nuk mund të largohesha, ngase koka e Resulullahut ishte mbi kofshën time.
Kur Resulullahu gdhiu në mëngjes, nuk kishte ujë. Atëherë Allahu i Lartësuar e zbriti ajetin e tejemumit dhe të gjithë morën tejemum. Atëherë Usejd bin Hudajri tha: “Ky nuk është bereqeti juaj i parë, o familja e Ebu Bekrit!” Pastaj, tregon Aishja, kur ngritëm devenë që kisha unë, e gjetëm qaforen nën të.”4

Hadithet e tejemumit

Kurse hadithet të cilat vërtetojnë tejemumin janë të shumta, ndër to:
1. “Dheu i pastër është pastrim për besimtarin, edhe nëse nuk gjen ujë dhjetë vjet.4
2. Transmetohet nga Imran ibën Husajni, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se: "I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, pa një burrë të veçuar, i cili nuk u fal me njerëzit dhe i tha: -O filan! Ç'të pengoi të faleshe me njerëzit?
-O i Dërguari i Allahut! Unë isha xhunub, -tha ai, - dhe nuk kishte ujë (që të lahesha). Muhamedi salallahu alejhi ue selem i thotë: -Atëherë mësyja vendit (dheut) të ngritur nga toka (merr tejemum), sepse ai të mjafton.6"
3. Transmetohet nga Amar ibën Jasiri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ai ka thënë: "I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, më dërgoi për një detyrë. Unë u bëra xhunub (gjatë rrugës, në gjumë) dhe nuk gjeta ujë të lahesha, kështu që unë u rrotullova (duke u fshirë) në sipërfaqen e dheut, ashtu siç rrotullohet kafsha. Pastaj shkova tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, dhe ia përmenda këtë, ndërsa ai tha: "Të mjaftonte të veproje kështu me dy duart e tua”, dhe goditi tokën me të dyja duart një herë, pastaj fshiu të majtën mbi të djathtën, fërkoi dy duart nga ana e sipërme e tyre (jo nga pëllëmba) dhe fytyrën e tij.7"

Shkaqet kur lejohet të merret tejemum

Më lart theksuam se tejemumi zëvendëson abdestin dhe gusulin atëherë kur nuk kemi mundësi të përdorim ujin. Kurse rastet konkrete kur lejohet të merret tejemumi janë disa:

1. Nëse nuk kemi ujë, qoftë në shtëpi ose në udhëtim dhe kemi dhënë mund për kërkimin e tij8
2. Nëse ka ujë, por shitet ose është më i shtrenjtë se zakonisht. Në këtë rast, nëse ka mundësi për ta blerë, muslimani obligohet ta blejë pasi ka mundësi, edhe nëse është më i shtrenjtë se rëndomtë. Por nëse nuk ka mundësi ta blejë ose është më i shtrenjtë dhe blerja i shkakton problem, bie fjala hyn në borxh ose diçka tjetër, atëherë lejohet të kalojë te tejemumi9.
3. Nëse është i sëmurë dhe përdorimi i ujit ia shton sëmundjen ose ia ngadalëson kurimin10.
4. Nëse posedon ujë dhe është i shëndoshë (nuk është i sëmurë), por përdorimi i tij i shkakton dëm, pra sëmuret, atëherë merr tejemum. P.sh., të marrë gusul me ujë të ftohtë dhe të sëmuret ose të lahet me ujë të nxehtë, por koha është e ftohtë (nëse është jashtë ose në udhëtim) dhe mund të sëmuret11.
5. Nëse posedon ujë, por ka një sasi të vogël, të cilën e përdor për pije dhe harxhimi i tij ia rrezikon jetën atij, familjes, shokëve të udhëtimit ose edhe të mjetit të transportit (kafshës së udhëtimit), pasi në rast të vështirësisë vjen lehtësimi.
6. Kur uji është afër, por nuk ka me çfarë ta nxjerrë ose i rrezikohet jeta që të shkojë dhe ta marrë.

Me ç’lloj dheu lejohet të merret tejemum

Lejohet të marrim tejemum me çfarëdo lloji gjërash që e kanë esencën nga toka, qoftë dhe, rërë, gurë, gips, pluhur, etj.. Në këtë kushtëzohet vetëm të jetë e pastër, pra jo i ndotur me ndyrësira. Kështu që nëse kemi ndonjë sipërfaqe dheu ku ka rënë urinë ose ndonjë ndyrësirë, atëherë nuk bën të marrim tejemum nga aty.
Disa nga ulematë kanë thënë se tejemumi duhet të merret vetëm nga dheu, kurse rëra, guri dhe materiet e tjera. Edhe pse e kanë esencën nga toka, nuk bën të përdoren për tejemum. Kështu që nëse jemi në ndonjë vend ku është shkretëtirë dhe ka vetëm rërë ose gurë, atëherë, nëse nuk kemi ujë, nuk lejohet të marrim tejemum me rërë, por falemi pa marrë tejemum. Ky mendim nuk është i saktë, pasi në Kuran12 përmendet fjala “Es-said” dhe mes gjuhëtarëve ka konsensus se “Es-said” ka për qëllim fytyrën (sipërfaqen) e tokës, qoftë dhe apo diçka tjetër13.

Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Unë dhe Abdullah Ibn Jesari, i cili ishte shërbëtor i Mejmunes, gruas së Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, shkuam tek Ebi Xhuhejmi Ibn Harithi Ibn Samiti El-Ensariu dhe ai na tregoi këtë: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem na erdhi prej Biër Xhemelit (pusi Xhemel, vend afër Medinës) dhe e takoi një njeri e i dha selam, por Resululllahu salallahu alejhi ue selem nuk ia ktheu selamin, derisa iu afrua një muri dhe mori tejemum, pastaj ia ktheu selamin.”14

Pastaj edhe i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, gjatë udhëtimit për në betejën e Tebukut ka kaluar nëpër vende shkëmbore dhe nuk vërtetohet se ka mbartur dhe me vete ose se është falur pa marrë tejemum.

Vijon...

Alaudin Abazi


1Prandaj këto rregulla dhe norma duhen të kuptohen se janë në dobi të njeriut dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të trajtohen si të vështira ose të mundimshme, aq më pak të konsiderohen të dëmshme. Allahu i Lartësuar thotë: “... Allahu nuk dëshiron (me urdhrin për abdes dhe gusul) t`ju shkaktojë vështirësi, por dëshiron t`ju bëjë të pastër dhe ta përmbushë të mirën e Tij ndaj jush, që ju ta falënderoni.” (Maide, 6).
2Shënon Buhariu dhe Muslimi. Hadithi komplet është kështu: "Më janë dhënë pesë gjëra, të cilat nuk i janë dhënë asnjë Pejgamberi para meje;
-më është favorizuar frika që në distancën prej një muaji (ecje),
-toka është bërë për mua xhami dhe pastrim, kështu që çdokënd prej popullit tim të cilin e zë namazi, të falet (aty ku e zë).
-më është lejuar plaçka e luftës dhe nuk i është lejuar asnjë Pejgamberi para meje.
- më është dhënë ndërmjetësimi (shefati)
- dhe çdo Pejgamber dërgohej te populli i tij, posaçërisht, ndërsa unë janë dërguar tek i gjithë njerëzimi në përgjithësi."
3 Suretu Maide, 6.
4 Shënon Buhariu.
5 Shënon Tirmidhiu, Ebu Davudi dhe Nesaiu, hadithi është i saktë.
6 Shënon Buhariu dhe Nesaiu.
7 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
8 Disa nga fukahatë e nderuar e kanë thënë se uji duhet të kërkohet 1850 metra (pak më shumë se një milje), kurse disa të tjerë të mëvonshëm e kanë përcaktuar kërkimin në minuta. Sido që të jetë, muslimani duhet të mundohet të gjejë ujë dhe nuk i lejohet të kalojë te tejemumi pa e kërkuar atë, kurse për sa i përket largësisë që duhet ta kërkojë, varet prej mundësive dhe asaj që rëndomtë (sipas urfit) do të konsiderohej kërkim. Pas kërkimit, nëse vërtetohet se në atë vend dhe në afërsi nuk ka ujë, atëherë lirohet për përdorimin e tejemumit. Përzgjedhja që të merret parasysh urfi është mendim i medhhebit maliki, shafi dhe hanbeli, kurse nga hanefitë Imam Kasaniu e përzgjedh për më të saktë në librin “El-bedaiu- sanai”, vëll.1, f. 48.
9 Argumenti për këtë është se Allahu nuk e ngarkon njeriun vetëm se me aq sa mund të përballojë.
10 Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Patëm dalë në udhëtim, e njërin prej nesh e pat goditur një gur në kokë dhe u plagos. E gjatë natës u bë xhunub dhe i pyeti shokët e tij: “A më lejohet të marr tejemum?” I thanë: “Jo, nuk të lejohet, pasi ke ujë”. Atëherë ai u la dhe vdiq. E kur erdhën tek Resulullahu salallahu alejhi ue selem, ne ia treguam këtë rast, e ai tha: “E vranë, i vraftë Allahu. Përse nuk kanë pyetur, pasi s’kanë ditur, sepse vërtetë shërimi i paditurisë është pyetja. Do t’i mjaftonte sikur të merrte tejemum.” Shënon Ebu Davudi.
11Amër ibn Asi, Allahu qoftë i kënaqur me të, u dërgua në betejën Dhatu-Selasilit e tha: “Një natë të ftohtë, pashë ëndërr dhe u bëra xhunub, pata frikë të lahem, se mos sëmuresha, por mora tejemum dhe dola imam në namazin e sabahut. E kur erdhëm te Resulullahu salallahu alejhi ue selem, sahabët ia treguan këtë rast. Ai tha: “O Amër, a je falur imam duke qenë xhunub?” Iu përgjigja (m’u kujtua ajeti): “…dhe mos mbytni veten tuaj. Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm për ju.” (En-Nisa: 29) Dhe morra tejemum e u fala. Resulullahu salallahu alejhi ue selem qeshi e nuk tha asgjë.”
12 Në ajetin e tejemumit, Maide, 6, përmendet "nëse jeni të sëmurë".
13 Ebu Is’haku në lidhje me “Es-said” ka thënë: “Është për qëllim fytyra (sipërfaqja) e tokës dhe për këtë njeriu e ka për detyrë t’i bjerë me duar fytyrës së tokës, duke mos i interesuar se a ka dhe në atë vend apo nuk ka, ngase said nuk do të thotë dhe, por fytyrë e tokës, qoftë dhe apo diçka tjetër. Nëse gjendesh në vend shkëmbor, ku nuk ka dhe, dhe i bie me duar shkëmbinjve, do të konsiderohej pastrim nëse e fërkon fytyrën me ato dy duar.”
14 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
Sqarim: Shejh Ibn Uthejmini, Allahu pastë mëshirë ndaj tij, qe pyetur rreth një personi të sëmurë, i cili s'mund të gjejë pluhur, se a mund të bëjë ai tejemum duke goditur duart në mur apo shtrat dhe kështu me radhë.
Ai u përgjigj: Nëse muri është i ndërtuar nga ndonjë përbërës i tokës, siç janë gurët dhe tullat e baltës, atëherë është e lejueshme të përdoret për tejemum. Por, nëse muri është i mbuluar me dru apo bojë dhe nëse ka pluhur mbi të, atëherë mund të përdoret për tejemum dhe s'ka kurrfarë problemi në këtë. Kjo është sikur të ketë bërë tejemum në tokë, ngaqë pluhuri vjen nga toka. Por nëse s'ka pluhur mbi të, atëherë ajo s'është nga toka dhe s'mund të përdoret për tejemum. Për sa i përket shtratit, them: Nëse ka pluhur mbi të, mund të përdoret për tejemum, përndryshe s'duhet të përdoret për tejemum, ngaqë nuk vjen nga toka. “Fetaua el-Tehareh”, f.240,

Create a free website Webnode