Prostitucioni është rrugë e shëmtuar

Në emër të All-llahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit!

“Dhe mos iu afroni kurvërisë, sepse është punë e pandershme dhe sa rrugë e shëmtuar që është ajo!” (17;32)

“Thuaju besimtarëve t’i ulin shikimet e tyre dhe t’i ruajnë nga amoraliteti pjesët e turpshme të tyre. Ajo është më mirë për ata, se All-llahu e di më mirë se ç‘bëjnë ata. Thuaju edhe besimtareve le t’i ulin shikimet e tyre dhe le t’i ruajnë nga amoraliteti pjesët e turpshme të tyre…” (24:30-31).

“O Pejgamber! Kur të vijnë besimtaret që të japin besën se nuk do të konsiderojnë asgjë të barabartë me All-llahun, se nuk do të vjedhin, se nuk do të bëjnë kurvëri, se nuk do t’i mbysin fëmijët e vet, se nuk do t’ua lënë në dorë burrave foshnjat e huaja dhe se nuk do të kundërshtojnë për asgjë, ti prano zotimin e tyre dhe lute All-llahun t’i falë. Me të vërtetë All-llahu fal shumë, dhe Ai është mëshirëplotë.” (60:12).

“Asnjëherë tek një popull nuk u shfaq kurvëria dhe të mos jenë përhapur tek ai sëmundjet që nuk ishin të pranishme në kohën e stërgjyshëve të tyre.” (hadith)

“Ruajuni bisedës vetëm me femra, sepse nuk do të vetmohet asnjëri me femrën që nuk e ka farefis, dhe të mos mendojë për atë që është e ndaluar”. (hadith)



Seksi është instinkti më i fuqishëm njerëzor. Ai është në themel të gjinisë njerëzore, në bosht të historisë, ai është shkaku i dëbimit të njeriut nga Parajsa në Tokë, në aktin e parë të dramës së kësaj bote të njerëzimit. Të plotësuarit e kësaj nevoje është ibadet! Themeluesi i psikoanalizës – në një fazë të tij – e quajti lëvizësi i të gjitha veprimtarive njerëzore. Ky instinkt është frymëzim i veprave të panumërta artistike. Dëshira për bashkim të sekseve të kundërta ka aktivizuar dhe aktivizon shumë energji, emocione, fantazi, synime, shpresa por edhe shpirtligësi.

A është seksi nevojë, vetëm dëshirë për kënaqësi momentale, apo ekskluzivisht lakmim i lindur për “pemën e ndaluar”?

Çdo bashkësi njerëzore, shoqëri, shtet, mësim fetar, ka përcaktuar qëndrimin ndaj çështjes së jetës seksuale dhe ka caktuar sjelljet pozitive e negative, të pranueshme e të papranueshme, të lejuara e të ndaluara, morale e jomorale. Numri i tyre më i madh, kënaqjen e instinktit seksual jashta bashkësisë martesore e ka quajtur jomorale, tradhti, kundërvajtje, kurvëri.

Prej kur ekziston kurvëria? Fatkeqësisht, prej kur ekzistojnë baskësitë njerëzore. Është i njohur imoraliteti i arabëve paraislamik. Mirëpo, as mjediset e sotme muslimane nuk janë imune nga të këqiat e ngjashme. Muslimanët u larguan nga burimet e veta. Edhe bashkësia jonë duhet patjetër të merret me problemin e homoseksualëve, prostitueve, sëmundjeve venerike të të gjitha llojeve, fëmijëve jashtëmartësorë, vrasjeve gna hakmarrja seksuale, shkatërrimin e familjes, frigjiditetit të femrave dhe impotencën e meshkujve e të ngjashme.

Shfaqja e të ashtuquajturit revolucion seksual, që në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë përfshiu Perëndimin, drejtpërsëdrejti fërkoi këllkun e tij djallëzor edhe për ne. Vështirë është këtu të kuptohen të gjitha shkaqet e shfaqjes së këtij revolucioni. A u shfaq për shkak të ngritjes së shpejtë ekonomike të shkaktuar nga kalimi i ngutshëm prej prodhimit agrar në atë industrial, të migracioneve nga fshati në qytet, për shkak të “harresës së Zotit” dhe mohimit të jetës përtej varrit dhe përgjegjësisë për vepra, apo nga dëshira e marrë, siç mund të quhen lirisht iluzionet për “çlirimin total të njeriut”, meqë u përmbysën ligjet elementare njerëzore dhe rregullat e sjelljes?

Ajo epidemi, përgjithësisht u fut edhe në oborret dhe shtëpitë muslimane, rrënoi martesat, shporri muslimanen në tryezë gjinekologjike dhe shpërkëndeu të rinjtë në absurd e dëshpërim të jetës, në vuajtje të sëmundjeve venerike dhe në vdekjen prej tyre, nga ato, në kotësi seksi … Ajo epidemi mbushi dhe po mbush burgje, çmendina, shtëpi edukimi e përmirësimi.

Vogëlushi e çupëza bashkëkohore në vitin e pestë, kur tashmë kanë ndjenjë turpi, u ballafaquan me ujërat vërshuese të imoralitetit: në televizion, të cilin e shikojnë në shoqëri me prindërit, gra e burra përqafohen, puthen, zhvishen lakuriq. Vëllai më i madh ose motra, i ati ose e ëma sjellin në shtëpi pornogazeta me fotografi me ngjyra të femrave lakuriqe. Në familje dhe në rrugë bëhen sharje pa kurrfarë turpi.

Larg nga morali fetar, pa qenë të vetëdijshëm për pasojat, të rinjtë vijnë në udhëkryq: ose rrugës së virtytit e të mirës, rrugës së mundimshme por të ndershme e të pastër, rrugës së All-llahut; ose rrugës së rrezikshme të anarkisë seksuale.

Kurse në shërbim kanë diskotekat – embrionet e kurvërisë, alkoolit e drogës – me muzikë sokëlluese, kinosallat, parqet, bankat dhe “shoqërinë” me cigare. Aty janë pikniqet, “shetitë e lira”, ekskursionet e lokalet e natës, plazhet, banesat, dhoma hoteli e studentore, kafenetë.. A ka vend që nuk ka përfshirë kjo ofertë e trupit dhe e seksit?

Prindi musliman nuk pyet ku shkon, me kë shkon dhe ç‘bën vajza e tij. “Është e re, le të argëtohet”.

Kurse për djalin dhe kalimin e kohës së tij të lirë, askush nuk kujdeset! Thuajase kurvëri bëjnë vetëm vajzat!

Periudha e adoleshencës (rinisë së vonshme, kryesisht prej moshës shtatëmbëdhjetë deri njëzetedyvjeçare) është periudha kur djaloshi dhe vajza zbulojnë unin vetjak, kuptojnë botën rreth vetes dhe përpiqen që unin e tyre ta sjellin në harmoni me botën. Ato janë vitet kur fillon të zhvillohet një botë më e lartë, bota e vlerave shpirtërore, ato janë vitet kur bëhen të ndërgjegjshme për përgjegjësinë morale dhe për të qenët njerëzor.

Atëherë paraqitet nevoja për dikë, i cili do të plotësojë atë pjesën e qenies të lënë për individin tjetër. Kush mund të jetë ai individ?

Vajza muslimane që u pajtua me puthje, pastaj me gjysmëvirgjëri dhe me humbje të virgjërisë, humb çdo gjë. Ku do të shkojë ajo? Rruga së cilës është nisur, është e keqe, rrugë e tmershme. Pastërtia muslimane vajzërore e saj, siç thotë Pejgamberi a.s., është “pasqyrë në të cilën shihet çdo e metë e saj”.

Ajo është në dilemë. A ta mbajë atë që e do dhe i cili e do, duke iu dorëzuar? A do të kurorëzojë “dashurinë e madhe” të saj me marrëdhënie seksuale me gjashtëmbëdhjetët e saj? A të marrë tableta për pengimin e shtatzënisë, meqë, tashmë ka bërë një herë abortin, apo të vazhdojë edhe më tej, pa ato, me të dashurin? Me qindra dilema të ngjashme.

Në anën tjetër, djaloshi i topitur, pa vullnet, i paaftë për jetë, pa ambicie, energji, shpresë… Sa ka mundur, i ka provuar të gjitha në jetë!

Në të vërtetë, duke kërkuar këshilla, ai, rrallë shkruan letra, ai nuk do të vijë në sprovë të abortit, por as të vetvrasjes, për shkak të amoralit të vet, nuk do t’u sjellë prindërve në shtëpi fëmijën jolegjitimë, nuk do ta njollosë nderin e familjes dhe as ta humbë të vetin (shpesh, për shkak se as që e ka pasur), e as do të bredhë me foshnje në duar nëpër institucione humanitare. Ai nuk do të ndiejë dhembje, vështirësi e pakënaqësi, të cilat është dashur patjetër t’i pësonte vajza e tij e braktisur e mendjelehtë.

Djaloshi dhe vajza e tillë shprehitë e tyre i vazhdojnë edhe në martesë. Ajo (martesa) për ta më nuk është prehje veç kamuflazh ose barrë.

Do të dëshironim të besonim se të gjitha këto janë larg nesh, larg vendit tonë, fshatit, mëhallës, dhe se ajo është një e keqe vetëm e qyteteve të mëdha. Duam të shpresojmë se sëmundjet dhe epidemitë e tyre janë të atilla vetëm në enciklopeditë e mjekësisë dhe në shqetësimet mjekësore. Mirëpo, vallë, e dhëna që gonorea dhe sifilizi, sëmundjet neverike më të përhapura, sot zënë përkatësisht vendin e pestë e të dhjetë në listën e 24 sëmundjeve inflektuese në vendin tonë, a nuk flet mjaft bindshëm? Vallë, ato ose ndonjë sëmundje tjetër venerike, meqë kanë marrë kaq hov në mjedisin ku jetojmë, a nuk mund të rrezikojnë edhe dikë prej farefisit tonë, madje edhe vetë ne?

Ne gënjehemi kur mendojmë se të çuarit dashuri në vende publike, në rrugica të errëta, në parqe dhe skuta të tjera janë stacionet e para dhe të fundit të amoralitetit seksual.

Të përpiqemi të përfytyrojmë shtretërit ku zënë fill SIDA, gonorea, sifilisi e fakteqësi të ngashme, pamja jonë naïve për korrupcionin e botës do të shndërrohet në shqetësim e frikë.

Nuk është e tepërt të njihemi me ca nga këto sëmundje, sipas burimeve të mjekësisë.

SIDA, AIDS-i (Sindromi i imunodeficientit të fituar), sëmundje infektive, për herë të parë zyrtarisht u regjistrua në vitin 1981 në ShBA. Shkaktari (patogjeni) i AIDS-it është një retrovirus që zakonisht thirret LAV/HTLV-111. Si të vendoset një herë virusi në qelizën nikoqire AND, ai mbetet në të gjatë gjithë jetës. Këto viruse shkatërrojnë sistemin imunitiv të individit të infektuar.

Virusi LAV/HTLV-111 është izoluar nga gjaku, sperma, pështyma, loti, shpretka dhe nga korja e trurit. Përhapet nëpërmjet gjakut dhe seksit. Së këndejmi, homoseksualët, heteroseksualët, prostitutat, ata që i ndërrojnë partnerët, narkomanët, hemofilët e të ngjashëm, janë grupet e njerëzve më të rrezikuar. Qeliza T-4 limfociti nën ndikimin e virusit HTLV-111 bëhet vend i shumëzimit të këtij virusi dhe e humb aftësinë fillestare të mbrojtjes. Kur shumëzohen, sulmojnë edhe qelizat e shëndosha. Pasi të rritet numri përmbi vlerën kritike, fillon sëmundja e dukshme.

Simptomat klinike dhe diagnozat klinike të AIDS-it janë jospecifike. Periudha e inkubacionit (koha prej infektimit deri tek manifestimi i sëmundjes) është mjaft e ndryshme dhe mund të sillet prej disa javësh deri në pesë vjet, mesatarisht 29 muaj tek të rriturit dhe 12 muaj tek fëmijët. Simptoma më të shpeshta të sëmundjes janë: limfadenopatia, ethet me temperaturë (38 gradë e më shumë), humbja e peshës, diarreja, ndjenja e lodhjes dhe plogështisë, kolli i thatë dhe gjakderdhja e lehtë. Vetëm dy ose më shumë këso simptomash së bashku mund të dëftojnë për sëmundjen.

Në aspektin manifestues të AIDS-it, dallohen katër forma klinike themelore:

1) Infektimi i traktit respirativ të organeve të frymëmarrjes.

2) Sëmurja e sistemit qendror nervor (30% të rasteve).

3) Çrregullimet e traktit gastrointestinal.

4) Tumori (afro 30% te rasteve).

Problem më vete është që virusi, në periudhën e inkubacionit, kur s’ka akoma simptoma të sëmundjes, në periudhën që mund të zgjasë disa vjet, mund të transferohet tek individi i shëndoshë pa qenë ai i vetëdijshëm për këtë, sepse as i infektuari nuk di për infektimin e tij.

Hulumtimet në ShBA dhe Evropë kanë treguar se AIDS-i më së shpeshti përhapet nëpërmjet kontaktit seksual, sidomos homoseksual, pastaj nëpërmjet bartjes së sasive të vogla të gjakut me anën e e mjeteve të infektuara (narkomanët), nëpërmjet terapisë së gjakut (hemofilët) dhe të ngjashme.

Nuk ka masa të mbrojtjes efikase. S’ka kurrfarë vaksine. Rekomandohet përdorimi i kondomit dhe kujdes i përgjithshëm kundruall të infektuarit. Mbrojtje e sigurt është shmangia nga kontaktet e paligjshme dhe besnikëria ndaj një partneri.

Nuk ka mënyra të shërimit të SIDA-së. Të gjitha rastet e të sëmurëve nga AIDS-i, - konsiderohet se deri më tash mbi 100.000, - patën përfundim fatal. Mjekimi është tejet i shtrenjtë, kurse sëmundja deri në vdekje zgjat 6-15 muaj. AIDS-i është, përveç tërbimit, e vetmja sëmundje infektuese që përfundon me vdekje”.

Gonorrea (gonorrhoea-triperi) apo blenorragjia, lind me infektimin e infektit blenorrean gjatë kontaktit seksual të një individi të infektuar me një të shëndoshë. Kjo sëmundje është tejet e përhapur dhe tejet e shpeshtë tek individët, të cilët kanë kontakte seksuale jashtë martesës. Shkaktari i gonorresë është neisseria gonorrhoeae, i cili sekreton toksinën e vet specifike dhe shkakton kalljen e mukozës, që manifestohet me sekrecion verdhë-gjelbër kullues. Fusha e sëmurjes është tejet e gjerë. Sulmohen organet seksuale (vezoret, qesja e urinës, vepërçuesit) dhe veshkët.

Nuk janë të rralla rastet e përflakjes së kapakëve të zemrës dhe arterieve të gjakut, inflamacioni i nyjave, periostit, nervave, muskujve, tejzave. Gjithashtu, mjaft shpesh i sulmon pejzat e syve dhe mukozat buzore. Shumë njerëz humbin të parët për shkak të sëmundjes nga blenorragjia. Sipas një statistike të paraluftës, në Evropën Perëndimore, 40% të fëmijëve të verbër, kanë humbur të parët për shkak të blenorragjisë së nënës, e cila i ka infektuar me sëmundjen gjatë lindjes.

Shangër (ulcus molle). Kjo është sëmundje lokale, në dallim nga sëmurja e tërë organizmit, siç është sifilis. Sëmundja përhapet ekskluzivisht nëpërmjet marrëdhënieve seksuale. I thati përfshin vetëm mjedisin e vet dhe rrugët limfatike përkatëse, shkakton dhembje të tmerrshme. Shkaktar është haemophilus ducrey. Në lidhje me këtë sëmundje shkaktohet ndezja e gjëndrave regjionale në gilcë dhe i thati i gangrenizuar, i cili shkakton asgjësimin e indit dhe lë shenja të thella plage.

Sifilisi (leus). Shkaktari është bakteria treponema pallidum. Infektimi bëhet me kontaktin e lirë, por është i mundshëm edhe përmes puthjes. Vendi i invazionit të patogjenit të sifilisit janë lëkura dhe mukoza e organit seksual të mashkullit e femrës dhe mukoza e gojës dhe e gjuhës, edhe më shumë sesa mendohet. Shkaktari bartet me anë seksuale, por kalon edhe nga gjaku i nënës së infektuar nëpër shtrrak dhe sulmon fetusin: mund të përhapet edhe nëpërmjet transfuzionit të gjakut të infektuar.

Sifilisi zhvillohet në tri faza. Infektimi vjen zakonisht në vendin e plagëzës ose të lëkurës së ngacmuar. Prej andej fillon depërtimi në enët limfatike e të gjakut. Pas dhjetë deri njëzet ditësh shfaqet puçrra e fortë e granulomës sifilisike. Nga dita e dhjetë fryhen gjëndrat e gilcave. Invazioni i treponema pallides vazhdon nëpër tërë organizmin. Shtatë deri dhjetë javë më vonë vjen faza sekondare. Ajo manifestohet me temperaturë të rritur, dobësim, dhembje të muskujve, nyjave, me zbehje të theksuar dhe pagjumësi. Gjatë kësaj kohe është karakteristik kurteshi nëpër tërë trupin. Në mukoza lindin sifilidet, në të vërtetë, vatrat e vërteta infektuese sifilisike. Pas kësaj pason gjendja e fshehur, që mund të zgjasë disa vjet. Dhe, më në fund, vjen faza e tretë, në të vërtetë, faza e fundit, e cila karakterizohet nga sulmi i përgjithshëm i sifilisit në tërë organizmin. Të gjitha organet sëmuren dhe manifestohen dhembje të tmerrshme. Thahet palca kurrizore, pason ndezja e trurit, çmenduria e të tjera.

Sëmundjet që, siç pamë, deformojnë organizmin e njeriut, nuk janë e vetmja e keqe që lë kurvëria pas. Krahas tyre gjithsesi janë fëmijët jashtëmartesorë, zakonisht të pasiguruar dhe fizikisht e shpirtërisht të gjymtuar, shkurorëzimet, traumat, rrahjet, vrasjet.

Kështu kurvëria nuk është vetëm e keqe morale, por edhe sociale-shoqërore.

All-llahu, i Cili e krijoi njeriun, e di më së miri natyrën e tij dhe vetëm Ai ka qenë e mundur t’i japë udhëzimet më të mira për sjelljen e tij.

Prandaj, Islami e pranon nevojën natyrore seksuale të njeriut:

“… edhe një nga shenjat e All-llahut është ajo që nga lloji juaj krijon bashkëshorte për ju që të gjeni prehje pranë tyre, dhe ndërmjet jush mbjell dashuri e mëshirë. Këto me të vërtetë janë mësime për njerëzit që mendojnë.” (30:221).

Islami e pranon instinktin seksual të njeriut dhe nuk kërkon prej tij që atë instinkt ta shuajë në vete, siç kërkon monakizmi (murgjëria), as nuk e lejon që t’u japë liri të pakufishme pasioneve të veta, siç e praktikon këtë ateizmi. Sepse, kush ndjek pasionet e veta, pasionet bëhen, siç thotë Kur’ani i urtë, zotat e tij:

“A e ke parë atë që ka marrë epshin e vet për Zot të vetin?” (45:23).

Prandaj, Islami është përcaktuar për rrugën e mesme: i pranon epshet, mirëpo, edhe i kufizon ato. Prej të rinjve kërkohet jo që ta shuajnë instinktin e tyre, por ta kontrollojnë me vetëdije e vullnet të qëndrueshëm, siç veproi Jusufi i ri a.s., njëri nga shembujt e urtësisë morale e fizike për të gjithë të rinjtë muslimanë:

“Dhe ajo, në shtëpinë e së cilës ishte, u mashtrua, ia mbylli dyert dhe i tha: ‘Eja!!’ ‘Ruaj o Zot!’, tha ai, ‘zotëria im tregoi kujdes ndaj meje; e ai i cili të mirën e kthen me të keqe, kurrë nuk do të shpëtojë’. Ajo e pat dëshiruar atë, edhe ai do të tregonte dëshirë ndaj saj sikur të mos e kishte parë argumentin e Zotit të vet. Kështu kjo ka qenë, në mënyrë që nga ai të largonin të keqen dhe amoralitetin, sepse ai me të vërtetë është prej robërve tanë të sinqertë.” (12:22-24).

Islami synon ta pengojë të keqen para se ajo të shfaqet. Prandaj, e ndaloi edhe vetë qasjen ndaj imoralitetit: “Dhe mos iu afroni kurvërisë, është punë e pandershme dhe sa rrugë e shëmtuar është ajo’” (17:32).

Kurse hazreti Fatimeja thotë:

“Më së miri është që femra të mos rrijë vetëm me një mashkull të huaj, as mashkulli me një femër të huaj, pa ndonjë të farefisit të saj.”

Është i ndaluar çdo lloj i kurvërisë. Së pari, ai më i vogli, ai që bëhet me shikim epshor:

“Thuaju besimtarëve t’i ulin shikimet e tyre dhe t’i ruajnë pjesët e turpshme të tyre. Ajo është më mirë për ata, se All-llahu e di me siguri ç‘bëjnë ata.” (24:30).

Pejgamberi i All-llahut këshillonte:

“Mos këqyr vazhdimisht, dhe mos hidh shikim pas shikimi, i pari të lejohet, të tjerët jo!”

Pastaj, imoraliteti që bëhet me sjellje e veshje të shfrenuara dhe me ekspozimin e atyre pjesëve të trupit që nxisin pasionet:

“Dhe thuaju besimtarëve t’i ulin shikimet e tyre dhe t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre dhe le të mos i ekspozojnë stolitë e tyre, përveç asaj që është e dukshme. Le t’i mbulojnë kraharorët e tyre me mbulesa dhe të mos ua tregojnë zbukurimet e tyre askujt, përveç bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre; baballarëve të burrave të tyre, djemve të tyre ose djemve të burrave të tyre; vëllezërve të tyre ose djemve të vëllezërve të tyre apo djemve të motrave të tyre; ose grave të tyre, robëreshave të tyre, shërbëtorëve, të cilët nuk ndiejnë nevojë për femra, ose fëmijëve, të cilët akoma nuk dinë se ç’janë pjesët e turpshme të trupit të femrës. Le të mos rrapëllojnë me këmbët e tyre për të shfaqur fshehtësinë e stolive të tyre. Dhe të gjithë pendohuni para All-llahut, o besimtarë, po deshët të shpëtonit.” (24:31)

Hazreti Aisheja rrëfen:

“Një herë motra ime, Esmaja, hyri te Pejgamberi i All-llahut. Ishte në fustan të rrallë e të tejdukshëm, përmes të cilit shihej trupi i saj. Pejgamberi i All-llahut e ktheu kokën dhe tha: ‘Esma, kur t’i vijë menstruacioni femrës, nuk bën t’i shihet asgjë nga trupi i saj, përveç fytyrës dhe duarve”.


. Raportet në mes mashkullit e femrës, sipas Islamit, janë të lejuara vetëm në martesë. Martesa është obligim, detyrë kategorike për çdo mashkull e femër madhore, të shëndoshë, të cilët krahas kësaj kanë kushtet e domosdoshme materiale për të krijuar familje.

“Martoni të pamartuarit prej jush, edhe robërit e shërbëtorët tuaj të mirë, nëse janë të varfër, All-llahu do t’i pasurojë nga mirësitë e Tij, sepse All-llahu është i Gjithëdijshëm.” (24:32).

Natyra e njeriut është të kërkojë shok ose shoqe për veten, bashkëshort me të cilin jo vetëm që do ta kënaqë epshin seksuale, por edhe t’i ndiejë të gjitha gëzimet e hidhërimet e kësaj bote. Shoku, burri ose gruaja e edukuar mirë në mënyrë islame, është Xhenneti i kësaj bote. I keqi është Xhehennemi.

Duke e shikuar kështu martesën dhe duke pasur parasysh ç‘do të thotë ajo për bashkësinë muslimane, Islami ndalon çdo lloj kurvërie, edhe atë publike edhe atë të fshehtë, dhe cakton dënim për të: dënimi për të pamartuarit është njëqind goditje me kërbaç, dhe krahas kësaj laviri i tillë pastaj mund të martohet vetëm me një lavire dhe anasjelltas, kurse të martuarit, po qe se bëjnë kurvëri, dënimi për të është me vdekje, përkatësisht mbytja me gurë (rrexhm).

“Dhe All-llahu urdhëron që të mos i qaseni kurvërisë as haptazi as fshehurazi… Laviren e lavirin, çdo njërin, rriheni me njëqind të rëna me kërbaç! Laviri mund të martohet vetëm me lavire ose me politeiste, kurse lavirja mund të martohet vetëm me lavir ose me politeist. Kjo është e ndaluar për besimtarët.” (24:3-4).

Mbase lexuesit të painformuar do t’i duken tepër rigoroze këto sanksione, dhe që Islami nuk i kushton vëmendje personalitetit njerëzor, veçmas po qe se lexuesi jeton në Evropë. Mund të kuptohet deri diku ky paradoks, sepse Evropa, as sipas traditës as sipas bashkëkohësisë, nuk është islame. Raportet e ndërsjella në mes njerëzve, burrit e gruas, njeriut e natyrës, njeriut e Zotit, janë – joislame, pra, edhe pikëpamjet janë të tilla. All-llahu, siç thotë Kur’ani, i caktoi këto sanksione, nga mëshira ndaj njerëzve.

Si të shpjegohet kjo?

Kjo shpjegohet sepse me kushtet që rekomandon Islami (siç janë: veshja islame, mbulesa e femrës, dinjiteti, sjellja modeste, mungesa e motivit) do të mënjanoheshin shkaqet dhe motivet për delikte seksuale, kështu që ata që, edhe pas të gjitha këtyre, vendosin për në këtë akt, tregohen me të vërtetë individë perversë, të paaftë për të jetuar në bashkësinë e shëndoshë njerëzore. Shembulli i dënimit të tyre, që do të ishte publik, sigurisht do të kishte ndikim të madh dhe do të ishte mësimi më i mirë për çdo kundërvajtës potencial, kurse ata personalisht do t’i shpëtonte nga bredhja e mëtejshme.

Me qëndrimin e vet për kurvërinë (imoralitetin), ku vërtet s’është lënë hapësirë për manipulim e kompromis, Islami pamundësoi në embrion këtë të ligë që gjendej në themel të shkatërrimit të të gjitha kulturave e civilizimeve.

Liria nuk qëndron në mundësinë e kënaqjes së çdo dëshire në kohën kur dhe në mënyrën çfarë e kërkon njeriu. Liria do të fillojë të shndritë vetëm në të jetuarit pa ngarkesa psikike, pa dyshime, pa zili, pa drojë nga ardhmëria dhe sëmundjet venerike, aborti dhe të gjitha ato pakënaqësi që sjell me vete jeta konkubine (jashtëmartesore).

Zoti nuk e do kurvërinë! Ai e urren shumë atë! Besimtarët largohen nga kurvëria, sepse, Zoti e ndaloi atë!

Jeta e dëlirë para martesës është fuqi vullneti, paqe shpirtërore, shenjë e vlerës morale, ngadhënjim i shpirtit ndaj trupit e materies. Jeta e dëlirë është ngadhënjim i jetës mbi vdekjen dhe edhe një përpjekje për të përballuar rrugën që shpie para gjyqit të Atij, i cili sheh dhe di çdo gjë.



www.ehli-sunnet.com

Make a website for free Webnode