Teuhidi i emrave dhe atributeve të All-llahut s.v.t
Kjo pjesë e Teuhidit është të njësuarit e Allahut me ato emra dhe atribute që Ai ka, dhe kjo përmban dy gjëra:
E para: Pohimi; që të pohojmë të gjithë emrat dhe atributet e Allahut të Lartësuar të cilat Ai i ka pohuar për Veten e Tij në Librin e Tij apo në Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).
E dyta: Mohimi i ngjasimit; që të mos i mveshim Allahut të ngjashëm me Të në emrat dhe atributet e Tij; siç thotë Allahu i Lartësuar: "Asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi." [Esh Shura: 11]
Ky ajet argumenton se Allahut nuk i përngjet asnjë prej krijesave në atributet e Tij. Edhe nëse ato përputhen në domethënie, por në realitet dhe në esencë ato ndryshojnë.
Kështu, kushdo që mohon atë që Allahu ka pohuar për Veten e Tij, ai është gjymtues dhe ky gjymtim i tij i përngjan gjymtimit të Faraonit.
Ndërsa ai i cili i pohon ato dhe i ngjason me të krijesave, ai është bërë i ngjashëm me idhujtarët të cilët adhurojnë bashkë me Allahun edhe të tjerë prej krijesave të Tij.
Dhe vetëm ai i cili i pohon ato emra dhe atribute pa i ngjasuar me ato të krijesave, vetëm ai është prej njësuesve të Allahut.
Në këtë pjesë të Teuhidit ka humbur një pjesë e popullit musliman dhe janë ndarë në grupe të shumta; dikush ka ndjekur rrugën e gjymtimit të tyre dhe i mohon ato atribute të Allahut duke thënë se ai kështu e pastron Allahun nga të metat, por në fakt ai ka humbur rrugë, pasi që në të vërtetë i pastruar është Ai nga i cili mohohen atributet e mangëta e të meta dhe Fjalët e të Cilit pastrohen nga të qenurit verbuese dhe çorientuese.
Nëse dikush thotë: Allahu nuk ka shqisë të dëgjuari, as të shikuari, as dije dhe as Fuqi absolute; ai nuk e ka pastruar e lartësuar Allahun, por e ka mveshur atë me të metat më të mëdha dhe Fjalën e Tij me të qenurit verbuese dhe çorientuese, pasi që Allahu e përsërit shpesh dhe e pohon këtë në Fjalën e Tij ku thotë: "Gjithëdëgjues, Gjithëshikues", "I Gjithëfuqishëm, më i Drejti në gjykim", "Falësi i Madh, Mëshirëploti"; sikur Allahu t’i pohonte këto në Fjalët e Tij dhe të ishte i zhveshur nga ato, kjo do të ishte kulmi i verbimit, çorientimit dhe shpifje për Fjalën e Allahut të Madhëruar.
Disa të tjerë kanë ndjekur rrugën e ngjasimit duke pretenduar se atributet e Allahut janë si ato të krijesave, por këta kanë humbur rrugë sepse ata nuk e kanë vlerësuar Allahun ashtu si i takon Atij. Kjo sepse këta i kanë mveshur Allahut mangësi dhe të meta, pasi që këta e kanë konsideruar të Plotin dhe Absolutin në çdo aspekt me të mangëtin në çdo aspekt.
Përderisa krahasimi i më të plotit me atë më të mangëtin ul nga vlera e të parit, siç thuhet:
A nuk e di ti se shpatës i ulet vlera
Nëse thuhet se shpata është më mprehtë se shkopi
Atëherë si është puna me ngjasimin e Absolutit me të mangëtin?!
Ky është krimi më i madh që mund të bëhet kundrejt Allahut të Madhëruar, megjithëse krimi i gjymtuesëve është edhe më i madh, por që të gjithë ata nuk e kanë vlerësuar Allahun ashtu si i takon Atij.
Kështu që, është obligim të besojmë në atë me të cilën Allahu ka Cilësuar dhe ka quajtur Veten e Tij në Librin e Tij dhe në gjuhën e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), pa shtrembërim, pa gjymtim, pa formësim dhe pa ngjasim.
Kështu ka thënë edhe dijetari i madh Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) dhe të tjerë prej dijetarëve të mëdhenj.
Kështu, shtrembërimi bëhet në tekste, gjymtimi në bindje dhe akide, formësimi në cilësi dhe ngjasimi gjithashtu në cilësi e atribute, por ky i dyti është më i veçantë se formësimi; pasi çdokush që bën ngjasim të Allahut me Krijesat, ai ka bërë edhe formësim, dhe jo e anasjellta.
Kështu që duhet ta pastrojmë akiden dhe bindjen tonë nga këto katër gjëra.
Kemi për qëllim me "shtrembërimin" këtu: interpretimin që kanë ndjekur shtrembëruesit e teksteve të atributeve të Allahut, pasi ata e kanë quajtur veten e tyre "interpretuesit", me qëllim që të zbusin në sy të njerëzve rrugën që kanë ndjekur; për shkak se natyra njerëzore nuk e pranon fjalën shtrembërim (në tekstet Hyjnore), por kjo nuk është veçse zbukurim i fjalës para njerëzve me qëllim që ata të mos largohen nga ajo.
Por në të vërtetë, interpretimi i tyre është shtrembërim; devijim i shprehjes nga domethënia e saj e drejtpërdrejtë. Ne themi: Nëse argumenton ndonjë provë për këtë devijim, atëherë ai është i saktë dhe nuk është interpretim në atë kuptim që thoni ju, por komentim (tefsir).
E nëse nuk argumenton asnjë provë për të, atëherë ai është shtrembërim dhe ndryshim i fjalës nga vendi i saj.
Këta njerëz të atillë të cilët kanë ndjekur këtë rrugë, këta kanë humbur. Ata i pohojnë atributet e Allahut por të shtrembëruara. Këta kanë humbur dhe janë vendosur në një rrugë të kundërt nga ajo e pasuesëve të sunetit dhe xhematit.
Kështu që këta nuk mund të cilësohen prej pasuesve të sunetit dhe xhematit, pasi që mveshja me diçka përmban adresimin tek ajo; pasuesit e Sunetit i adresohen Sunetit pasi që ata janë të kapur për të, ndërsa këta nuk janë të kapur për Sunetin në shtrembërimet e tyre.
Po kështu edhe xhemati në origjinë vjen prej të bashkuarit dhe të grumbulluarit, ndërsa ata nuk janë të bashkuar në mendimet e tyre, pasi që në librat e tyre gjen ngatërrim, kundërshtim dhe kundërthënie, saqë ata akuzojnë edhe njëri-tjetrin për humbje e devijim, si dhe bienë në kundërthënie me vetveten e tyre.
Sqaruesi i librit "El Akidetu et Tahauije" ka përcjellë nga El Gazali, i cili arriti majat në shkencën e skolastikës (Ilmul Kelam), ka përcjellë fjalë të cilat nëse dikush i lexon, i bëhet e qartë se ata njerëz janë në rrugë të gabuar, të rrezikshme dhe kanë rrëshqitur, e se ata nuk janë të qartë në vetveten e tyre.
Ata janë të hutuar dhe në mëdyshje, nuk janë të bindur në çështjen e tyre, ndërsa atë të cilin e ka udhëzuar Allahu në Rrugën e Drejtë e gjen të sigurtë dhe të qetë. Ai lexon në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ato që Allahu i ka pohuar për Veten e Tij prej Emrave dhe Atributeve të Tij, dhe ky i pohon ato.
Si do të ishte ndryshe kur askush nuk di për Allahun ashtu siç di Allahu për Veten e Tij, askush nuk thotë ndonjë njoftim më të vërtetë se Allahu dhe askush nuk është më i saktë në sqarim se sa Allahu; ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar:
"Allahu dëshiron që t’ua sqarojë juve." [En Nisa: 26]
"Allahu u sqaron ju me qëllim që të të mos humbni rrugë." [En Nisa: 176]
"Ne ta kemi zbritur ty Librin, sqarues për gjithçka." [En Nahl: 89].
"Dhe kush mund thotë fjalë më të vërtetë se Allahu." [En Nisa: 122]Këto ajete e të tjera si këto argumentojnë se Allahu ia ka sqaruar krijesave të Tij me sqarim mëse të plotë rrugën që të shpie tek Ai dhe gjëja më e madhe për të cilën kanë nevojë krijesat që t’u sqarohet është njohuria për Allahun e Lartësuar me Emrat dhe Atributet e Tij, me qëllim që ta adhurojnë Allahun me dije dhe vendosshmëri. Përndryshe, adhurimi i dikujt të cilit nuk ia njohim atributet, apo i cili nuk ka atribute, është diçka që nuk mund të realizohet kurrë.
Kështu që, është e domosdoshme që të njohësh atributet e të Adhuruarit tënd me qëllim që të drejtohesh tek Ai dhe ta adhurosh Atë ashtu si duhet dhe si e meriton Ai.
Njeriu nuk duhet t’i kalojë kufijtë e tij dhe të shkojë në formësim apo ngjasim, pasi që nëse ai është i paaftë për të përfytyruar shpirtin e tij që ka me vete, atëherë është edhe më i paaftë për të përshkruar realitetin e atyre atributeve me të cilat Allahu i Lartësuar ka cilësuar Veten e Tij.
Ndaj është detyrë e njeriut që ai ta ndalojë veten e tij nga të pyeturit "Përse?" e "Si?", në lidhje me Emrat e Allahut të Madhëruar dhe Atributet e Tij.
Njeriu gjithashtu duhet ta ndalojë veten e tij nga të menduarit për formën e atyre atributeve.
Nëse njeriu e ndjek këtë rrugë, ai ka për të qenë i qetë dhe pikërisht kjo është edhe rruga që kanë ndjekur selefët (të parët tanë) (Allahu i mëshiroftë!)
Për këtë shkak, kur një burrë erdhi tek imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) dhe i tha: "O Ebu Abdullah! "I Gjithëmëshirshmi mbi Arsh qëndroi."; Si qëndroi?" Ai (Imam Maliku)tundi kokën pastaj tha: "Qëndrimi mbi diçka nuk është i panjohur, ndërsa forma e tij (në lidhje me Allahun) nuk është e kapur nga mendja njerëzore. Besimi në të është uaxhib (obligim), ndërsa pyetja për të është bidat (risi). E unë nuk të shoh ty veçse një bidatçi."
Ndërsa në këtë kohën tonë gjejmë njerëz të thonë: Allahu zbret në Qiellin e kësaj bote në një të tretën e çdo nate, por nga kjo rrjedh që Ai të qëndrojë në Qiellin e kësaj bote gjatë gjithë natës, pasi që nata lëviz nëpër të gjithë tokën dhe një e treta e saj lëviz nga njëri vend në tjetrin!
Kjo sigurisht që është diçka të cilën nuk e kanë thënë shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), dhe nëse kjo do të ishte diçka që shkon në zemrën e besimtarit, Allahu do ta kishte sqaruar atë që në fillim, apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), apo të nxirrte dikë që të pyeste për të dhe pastaj të zbriste përgjigjen, ashtu siç kanë pyetur sahabët të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): "Ku ka qenë Allahu para se të krijonte qiejtë dhe Tokën?" Dhe ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) iu përgjigj atyre.
Kjo pyetje e madhe argumenton se çdo gjë që i nevojitet njerëzve, Allahu ua sqaron atyre me anë të njërës prej tre mënyrave të mësipërme.
Ndërsa në përgjigje të problemit të shfaqur në hadithin e Zbritjes së Allahut, thuhet: Përderisa një e treta e natës në këtë zonë vazhdon të qëndrojë, atëherë zbritja e Allahut në të është realizuar. Ndërsa në zonat e tjera në të cilat nuk ka hyrë një e treta e natës, nuk është realizuar zbritja; dhe Allahut nuk i përngjet asgjë, ndërsa hadithi argumenton se koha e zbritjes mbaron me hyrjen e agimit.
Detyra jonë është të dorëzohemi dhe të themi: Dëgjuam, u bindëm, pasuam dhe besuam.
Kjo është detyra jonë; të mos e tejkalojmë Kuranin dhe hadithin.
[Shkëputur nga libri "El Kaulu el Mufid ala Kitabi et Teuhid", i Muhamed ibën Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë!]